Maqedoni
Konferencë ndërkombëtare “Gratë në energjetikë”: duhen më shumë gra në vendet udhëheqëse në energjetikë
04.06.2018 18:31
Numri më i madh i grave në energjetikë dhe në pozita udhëheqëse në kompanitë energjetike dhe institucione ku krijohen politikat energjetike...

Numri më i madh i grave në energjetikë dhe në pozita udhëheqëse në kompanitë energjetike dhe institucione ku krijohen politikat energjetike, janë fokusi kryesor i konferencës ndërkombëtare “Gratë në energjetikë”.
Qëllimi i konferencës është që të ngrihet vetëdija për rëndësinë e përfaqësimit të barabartë të grave në sektorin energjetik dhe të identifikohen strategji dhe programe që do të kontribuojnë në bilancin gjinor.
Bashkëpunëtorë të këtij organizimi janë EVN-Maqedoni dhe Institucioni i Inxhinierisë, të cilët thanë se viteve të fundit përfaqësimi i grave në energjetikë vjen duke u rritur.
“Trajtimi i barabartë i burrave dhe grave nuk është çështje e zgjedhjes në shoqërinë e sotme. Përkundrazi, është qasje e detyrueshme të cilën e zbatojmë në EVN - Maqedoni dhe përpiqemi që këtë trajtim ta ngrisim në nivel më të lartë. Për ne, më i rëndësishëm është krijimi i kushteve në të cilat çdo individ do ta japë më të mirën nga vetja, pa dallim gjinie”,- tha kryetari i bordit drejtues të EVN – Maqedoni, Shtefan Peter.
“Ne kemi të dhëna se pas përfundimit të studimeve, femrat tregojnë rezultat më të mira se sa kolegët e tyre meshkuj, por pas përfundimit të shkollimit deri në pozicionet menaxhuese të kompanive energjetike, numri i tyre bije ndjeshëm. Kjo konferencë përfaqëson iniciativë për mbledhje të të gjithë institucioneve dhe personave relevantë, përmes hapjes së shumë çështjeve, të vendosen themelet e politikave globale të cilat do të mundësojnë pjesëmarrje më të madhe të grave si faktor vendimtar në sektorin energjetik”,- deklaroi kryetarja e Institucionit të Inxhinierisë në Maqedoni, Hristina Spasevska.
“Së bashku me të gjitha institucionet të cilat duhet ta udhëheqin këtë proces, do të gjejmë zgjidhje se si duhet vepruar që t’i stimulojmë femra në këtë lloj fushe studimi, që ato të inkuadrohen në vende të tilla pune dhe ajo që është më e rëndësishme, duhet që bizneset t’u japin shtysë grave për të ecur përpara në karrierën e tyre”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
Gjithashtu, përmes tregimeve të suksesit të grave inxhiniere, studentet e reja dhe të punësuarat me fillim të karrierës u inkurajuan që të vazhdojnë ta ndjekin ëndrrën e tyre për sukses dhe përparim në karrierë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
