Maqedoni

Investimet e huaja, ASh: vazhdon diskriminimi ndaj shqiptarëve

04.06.2018 18:49

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar Qeverinë, siç thonë, për ndarje joproporcionale të mjeteve buxhetore...

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar Qeverinë, siç thonë, për ndarje joproporcionale të mjeteve buxhetore, duke u drejtuar pyetje publike ministrave se sa mjete janë destinuar për komunat shqiptare. 
 
Akuzat vijnë pasi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev, prezantoi investime të huaja me vlerë prej 235 milionë euro, si dhe deklaratat e ministrit të transportit, Goran Sugarevki, që paralajmëroi një projekt prej 47 milionë eurosh për fillimin e rrugës Shtip-Radovish, si dhe investime në Maqedoninë lindore për rrugë dhe mirëmbajtje në vlerë prej rreth 320 milionë euro me para të buxhetit dhe të taksapaguesve të saj. 
 
Nga ASh pyesin se ku mbeten vendbanimet shqiptare në këto investime. 
 
“Pyesim z Angjushev, ministrin Sugarevski dhe ministrat e BDI-së nëse janë paraparë para për komunat shqiptare. Ju kujtohet premtimi për rrugën Tetovë - Prizren, që ka qenë gjithnjë pjesë e fushatës së BDI-së, po assesi nuk fillon. As për aksin Shkup - Dibër, pjesë e korridorit 8, me interes jetik për shqiptarët dhe për Maqedoninë për shfrytëzimin e portit të Durrësit. Qeveria   LSDM - BDI nuk ka filluar asnjë km të rrugës Shkup - Bllacë”,- u tha nga Aleanca për Shqiptarët.