Maqedoni
Çështja e emrit, Kotzias: Është koha për “po” ose “jo”
05.06.2018 10:57
Ende asnjë paralajmërim për bisedën telefonike mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe homologut tij grek, Aleksis Cipras...

Ende asnjë paralajmërim për bisedën telefonike mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe homologut tij grek, Aleksis Cipras, e cila duhet të ndodh deri të premten. Përderisa Athina pret thirrjen e kryeministrit Zaev, ky i fundit u thirr në çështje teknike.
Ndërkohë, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias, për televizionin shtetëror grek ka deklaruar se propozimi “Maqedonia e Vardarit” është hedhur poshtë si mundësia më e mirë e zgjidhjes së çështjes së emrit. Ai ka thënë se është koha për “po”, ose “jo”, për një nga tre mundësitë e mbetura, që të gjendet një zgjidhje kreative.
“Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, ose Maqedonia e Re janë propozimet e mbetura në tavolinën e bisedimeve, pas hedhjes poshtë të Maqedonisë së Vardarit, dhe në ditët në vijim mund të arrihet zgjidhja”,- ka deklaruar Kotzias.
Sipas tij, marrëveshja është një pajtim i mirë nga i cili do të përfitojnë të dy vendet. Ai sqaroi se propozimi i hedhur poshtë nuk është pranuar nga Shkupi, ndërsa thekson se vendit fqinj i ka kërkuar që të ofrojnë propozime tjera, përpos atyre të ndërmjetësuesit Matthew Nimetz.
Kotzias madje shpalos se opozita e tanishme e Maqedonisë, atëbotë në qeverisje, e kishte pranuar propozimin “Republika e Maqedonisë - Shkupi”, si formulë e dyfishtë, pa kusht për përdorim të përgjithshëm – “erga omnes”.
