Maqedoni
Komisioni për financa dhe buxhet, afat shtesë për privatizimin e tokës ndërtimore
05.06.2018 15:05
Në Komisionin amë për financa dhe buxhet janë sjellë disa ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me privatizimin e tokës ndërtimore në pronësi shtetërore...

Me ndryshimin e këtij ligji do të mundësohet prolongimi i paraqitjes së kërkesave për privatizimin, afati i së cilës me ligjin paraprak ka skaduar në vitin 2014. Zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi, thekon se ky ndryshim i ligjit është shumë i rëndësishëm për qytetarët pasi që të gjithë ata që nuk kanë mundur të paraqesin privatizimin e pronës së tyre do të mund ta bëjnë të njëjtën deri në përfundim të dhjetorit të vitit 2021.
“Të gjithë ata qytetarë, qoftë subjektet fizike, qoftë subjektet juridike, por gjithashtu edhe për mërgimtarët të cilët nuk kanë arritur që të respektojnë afatet kohore në dhënien e kërkesave të paraqitura në kohë ndaj institucioneve adekuate të mund t’i paraqesin të njëjtat. Ndryshim tjetër që është parashikuar në këtë propozim ligj ka të bëjë edhe me prolongimin e afateve sa i përket të drejtave nga bartja e shfrytëzuesit në të drejtën e pronësisë, do të thotë se afati prolongohet me përfundimin e dhjetorit të vitit 2022”,- deklaroi zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
Po ashtu Elezi informoi se një nga ndryshimet e rëndësishme është edhe prolongimi i afatit të përcaktimit të qirasë për shfrytëzimin e tokës ndërtimore për të gjithë ata qytetarë të cilët nuk do t’i nënshtrohen procesit të privatizimit.
ERSAN PAJAZITI
