Maqedoni
Kapitulli 23, Zaev: Nevojiten reforma rrënjësore
05.06.2018 16:15
Maqedonia ka nevojë për reforma thelbësore e jo gjysmake në gjyqësor, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev...

Maqedonia ka nevojë për reforma thelbësore e jo gjysmake në gjyqësor, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev, në konferencën ku debatohej rreth hapjes së kapitullit 23 të BE-së për reformat në gjyqësor. Zaev tha se temat e këtij kapitulli sa janë urgjente për BE-në, aq më shumë janë të rëndësishme për Maqedoninë për t’iu qasur familjes evropiane.
“As Komisioni Evropian, as vendet anëtare, nuk do të pranojnë reforma gjysmake. As ne nuk na nevojiten reforma të tilla. Flasim për reforma rrënjësore. Në fund të gjithë do të duhet të hapin kutinë e gjyqësorit dhe pa marrë parasysh se a është e Pandorës, ne do të duhet guximshëm dhe hapur të vazhdojmë me reformat. Vetëm kështu mund të ndërtojmë shtet evropian”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, tha se procesi i anëtarësimit në BE është i gjatë dhe qeveria deri në marrjen e ftesës për çeljen e bisedimeve do të vazhdojë me reformat me zbatimin e planit 18.
“Nuk mund ne si qeveri të presim në situata hipotetike për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve edhe pse kjo është shumë afër. Megjithatë, kemi plan që do të mbulojë periudhën prej sot e deri në nisjen e bisedimeve, e ky është plani 18, ku do të mbizotërojnë reformat në gjyqësor”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Kryetari i Komitetit të Helsinkit, Gordan Kallajxhiev, tha se miratimi i Strategjisë për reforma në gjyqësor nuk do të thotë se me automatizëm reformat do të kenë sukses.
“Kemi sëmundje në gjyqësor. Ekziston ndarje e madhe midis gjyqësorit dhe policisë. Ndarja e prerë nuk është e mirë pasi që në të gjitha vendet evropiane reformat dhe zhvillimi i këtyre dy sektorëve është tejet i ngushtë”,- tha kryetari i Komitetit të Helsinkit, Gordan Kallajxhiev.
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, tha se hapja e kapitullit 23 nuk duhet shikuar vetëm me skepticizëm, pasi që njëkohësisht mund të dalin gjëra pozitive dhe shpresëdhënëse.
“Hapja e kapitullit 23 për mua paraqet rrugë drejt qeverisjes së mirë. Rruga nuk do të jetë e lehtë, do të ketë shumë pengesa, por edhe një dozë shprese, pasi që atë rrugë para nesh e kanë kaluar disa shtete”,- theksoi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut janë tre temat që përfshihen në kapitullin 23, që është punuar dy vjet e gjysmë nga Komiteti i Helsinkit në bashkëpunim me Institutin për Politikë Evropiane. Kapitujt 23 dhe 24 janë ndër të parët që hapen në bisedimet me BE-në.
MERAL ISMAILI
