Maqedoni

Koxias: koha e fundit që IJRM të vendosë për marrëveshjen; Zaev: çështje ditësh biseda telefonike me Ciprasin; Milloshovski: marrëveshja definitive në fund të javës

05.06.2018 16:35

Pala greke edhe njëherë ka këmbëngulur që, si thuhet, institucionet në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë...

Pala greke edhe njëherë ka këmbëngulur që, si thuhet, institucionet në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë të dalin me qëndrim të prerë se a do të pranojnë njërin nga tre propozimet e mbetura në tryezën e bisedimeve apo jo. Këto prononcime i ka bërë ministri grek i punëve të jashtme, Nikos Kotzias, sipas të cilit është koha e fundit për “po” ose “jo” përfundimtare, për një nga tre mundësitë e mbetura, që të gjendet një zgjidhje kreative, duke mos e përfshirë emrin “Maqedonia e Vardarit”.                   
                                                                                                    
“Ende nuk ka asnjë paralajmërim për bisedën telefonike mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe kryeministrit tonë, Aleksis Cipras, e cila duhet të ndodh deri të premten. “Maqedonia e Vardarit” është hedhur poshtë si mundësi për zgjidhjen e çështjes së emrit, prandaj po them se tani është koha për “po” ose “jo” për një nga tre mundësitë e mbetura, që të gjendet një zgjidhje kreative. “Maqedonia Veriore”, “Maqedonia e Epërme” ose “Maqedonia e Re” janë propozimet e mbetura në tavolinën e bisedimeve, pas hedhjes poshtë të “Maqedonisë së Vardarit” dhe në ditët në vijim mund të arrihet zgjidhja”,- deklaroi ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotxias.               
                                                                                                                           
Sipas tij, marrëveshja është një pajtim i mirë nga i cili do të përfitojnë të dy vendet. Ai sqaroi se propozimi “Maqedonia e Vardarit” është hedhur poshtë nga Shkupi dhe se të njëjtit kanë kërkuar nga pala greke që të ofrojnë propozime tjera, përpos atyre të ndërmjetësuesit, Matju Nimetz.
 
Ai madje bëri të ditur se VMRO-DPMNE deri sa ishte në Qeveri e kishte pranuar propozimin “Republika e Maqedonisë - Shkupi”, si formulë e dyfishtë, pa kusht për përdorim të përgjithshëm – “erga omnes”. 
 
Nga ana tjetër, përderisa Athina pret thirrjen telefonike nga kryeministri Zaev, ky i fundit ka qenë më i përmbajtur në qëndrimet e tij, me qëllim që, siç theksoi, ta ruajë relacionin e mirë dhe gjërat të zbardhen pasi të realizohet biseda e paralajmëruar telefonike me homologun e tij grek.   
                                                                                                                                                   
“Unë besoj se jemi në përfundim të disa gjërave, prandaj do të ngel i vëmendshëm me qëllim që të kemi një fund të suksesshëm. Detaje nuk mund të jap, sepse akoma po afrohen rrethanat për t’u realizuar ajo bisedë telefonike. Besoj se në pyetje janë ditë se kur do të ndodh kjo bisedë telefonike, ndërsa për aspektin përmbajtjesor do t’i informoj qytetarët pasi të ndodhë e njëjta. Është shumë çështje e ndjeshme tek ne, por edhe në Greqi, po sillen vendime të rëndësishme në këtë drejtim, por me rëndësi është që qytetarët në fund do të vendosin në referendum. Por, me rëndësi është se si do të dakordohet kjo çështje dhe çka do të përmbajë marrëveshja eventuale, nëse arrihet”,- u shpreh kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
 
Deputeti i opozitës, Antonio Milloshoski, në një status të fundit shkruan se marrëveshje definitive mes Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emrit do të nënshkruhet në fund të kësaj jave, duke zbuluar edhe vendin ku kjo do të ndodh.
 
Prej burimeve diplomatike nga të cilat thirret, Milloshovski ka bërë të ditur se të enjten ose të premten e kësaj jave do të realizohet takimi mes kryeministrave, Cipras dhe Zaev, në pjesën greke të Prespës së Vogël dhe do të nënshkruhet Marrëveshja për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë, ku, sipas tij, koordinator kryesor për ngjarjen e nënshkrimit të Marrëveshjes është Bojan Mariqiq, këshilltar në kabinetin e kryeministrit, Zoran Zaev.
 
FITIM KRYEZIU