Maqedoni

Ligji i gjuhëve, Zaev apel Ivanovit: nënshkruaj Ligjin e gjuhëve

05.06.2018 16:53

Kryeministri, Zoran Zaev, edhe njëherë ka apeluar deri te kryetari i shtetit, Gjorgje Ivanov, që të nënshkruajë Ligjin...

Kryeministri, Zoran Zaev, edhe njëherë ka apeluar deri te kryetari i shtetit, Gjorgje Ivanov, që të nënshkruajë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe me këtë të mundësojë funksionimin pa pengesë të demokracisë në shoqëri. Ai shtoi se vetoja mbi Ligjin nuk është demokraci funksionale.
 
Zaev tha se në disa takime me Ivanovin është munduar ta motivojë të japë nënshkrimin për Ligjin, pasi përmes këtij veprimi ai shkel Kushtetutën dhe bllokon funksionimin e Kuvendit.
 
“Kjo jep porosi se kryetari i shtetit mund të vendosë kur të dojë dhe cilindo ligj ta lë në të ashtuquajturën “veto në xhep”. Kjo nuk është demokraci funksionale. Përgjegjësia është e madhe. Shkel Kushtetutën”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ai tha se duhet të thirren institucionet, si Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni Venecian, të cilat janë kompetente të tregojnë nëse Ligji është kushtetues ose jo.
 
“Gjykata Kushtetuese tregon se çka është kushtetuese dhe çka jo. Dhe nëse ka diçka problematike apo jokushtetuese, çdoherë mund të ndryshohet. Por, ligji patjetër se duhet të marrë frymë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Nëse ligji fillon të ketë progres, atëherë do të mund që më lehtë të hymë në procesin e paralajmëruar për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, shtoi kryeministri.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI