Maqedoni
Reformat zgjedhore, “Civil” ngre alarmin për ngecje në reformën zgjedhore. Novakovski: KShZ s’punon, kush e pastron Listën zgjedhore?
05.06.2018 17:59
Organizata joqeveritare “Civil” ka ngritur alarmin për ngecje në zbatimin e reformës zgjedhore...

“Civil” kërkon profesionalizim të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ndryshimin e sistemit zgjedhor në një njësi zgjedhore, kontroll më të rreptë të financimit të partive politike, sanksione më të ashpra kundër korrupsionit zgjedhor, përkatësisht kundër shit-blerjes së votës si dhe ndryshime rrënjësore ligjore që mundësojnë nivel më të lartë të demokracisë.
“Ajo që shohim në KShZ është se ai edhe më tej do të jetë arenë e interesave politike dhe larg asaj që të merret me mbrojtjen e së drejtës për votë dhe me ligjshmërinë e procesit zgjedhor. KShZ-në e pamë si institucion më përgjegjësi, i cili e lëndoi ashpër të drejtën për votë gjatë zgjedhjeve në vitin 2016 dhe 2017. Kjo duhej të rregullohet në atë formë që të profesionalizohej KShZ-ja”,- tha Xhabir Deralla nga “Civil”.
Organizata “Civil” vlerëson se po përgatitet terren për zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale, por, sipas Derallës, Maqedonia ende nuk është e gatshme për proces të tillë.
Në ndërkohë, ish-kryetari i KShZ-së, avokati, Aleksandar Novakovski, shpreh shqetësimin që në periudhë kur është paralajmëruar referendum, nëse zgjidhet kontesti rreth emrit, KShZ nuk funksionon.
“Për momentin, siç e dini, KShZ nuk punon. Zgjedhje të parakohshme janë të mundshme. Edhe referendum është i mundshëm. Gjëja më e rrezikshme është që KShZ nuk është formuar, ndërkaq po paralajmërohet referendum. Parashtrohet pyetja kush e pastron Listën zgjedhore, e cila paraqet elementin thelbësor për një referendum. Kështu që problemin kryesor e shoh këtu”,- tha ish-kryetar i KShZ-së, Aleksandar Novakovski.
Sipas Novakovskit, me modelin e paralajmëruar dëshmohet se askush nuk dëshiron ta profesionalizojë KShZ-në dhe se partitë politike parapëlqejnë të kenë anëtarët e tyre në këtë trup.
Për këto arsye vlerëson se, për momentin, Maqedonia nuk ka kapacitet demokratik që të organizojë as referendum dhe as zgjedhje demokratike.
SHPËTIM NUREDINI
