Botë

Sistemi i centralizuar i analizave të gjakut, Filipçe: iu japim fund keqpërdorimeve financiare

06.06.2018 18:48

Sindikata e Qendrës klinike është takuar sot me ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe, për të marrë garanci se sistemi i centralizuar i analizave të gjakut...

Sindikata e Qendrës klinike është takuar sot me ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe, për të marrë garanci se sistemi i centralizuar i analizave të gjakut, projekt ky që Filipçe prezantoi dje, nuk do të thotë përjashtim nga puna të asnjë personi.

Sindikata e Qendrës klinike kërkon të kyçet në këtë fazë të projektit dhe ankohet përse nuk u konsultuan paraprakisht.

Ministri i Shëndetësisë ripotencon se sistemi i cili do t’i centralizojë laboratorët biokimike nëpër Qendra laboratorike, bëhet me qëllim të kursimit të mjeteve buxhetore.

Planifikojmë kursime serioze dhe shërbime më të mira për pacientët. Ai nuk sheh asnjë mundësi për keqpërdorime, madje thotë se kjo është e vetmja zgjidhje për t’i vënë fund keqpërdorimeve të deritanishme të mjeteve financiare, por dhe materialeve tjera si dhe barërave.

Sistemi i ri u mundëson edhe pacientëve të zonave rurale të mos bredhin spitaleve të qyteteve por analizat e gjakut do të bëhen në laboratorët lokalë, këta të fundit do i transferojnë në qendrën më të afërt laboratorike dhe rezultatet i dërgohen mjekut amë në mënyrë elektronike.

Nuk dihet si funksionon sistemi elektronik në ambulancat e zonave të largëta me aspak kushte, por gjithsesi ideja për lehtësimin e pacientëve është për t’u përshëndetur.