Autostrada Prishtinë - Shkup, Lekaj: 100 mln euro më shumë se parashikimi
Çmimi përfundimtar i ndërtimit të autostradës Prishtinë - Shkup mund të arrijë deri në 700 milionë euro, gjegjësisht rreth 100 milionë euro më shumë sesa që ishte projeksioni fillestar...

Diferencën në çmim, ministri i infrastrukturës i Kosovës, Pal Lekaj, e arsyeton me faktin që firma kontraktuese nuk i ka plotësuar gjysmën e obligimeve të parashikuara në kontratë.
Punët e këtij projekti fillimisht ishin paraparë të përfundojnë deri më 1 janar të këtij viti. Sipas Lekajt, për shkak të vonesës dhe menaxhimit të keq nga Qeveria paraprake, qeveria aktuale është detyruar të vazhdojë kontratën.
Fillimisht shuma e planifikuar për ndërtimin e autostradës, e cila e lidh Kosovën me Maqedoninë, ishte 608 milionë euro, por janë rritur për shkak të penaleve të cilat u janë paguar ekspozuesit “Behtel Enka”.
Me justifikimin se Qeveria paraprake nuk i ka plotësuar në kohë obligimet, dje Qeveria e Ramush Haradinajt vendosi të paguajë 53 milionë euro penale të konsorciumit dhe tani çmimi përfundimtar i autostradës mund të arrijë deri në 700 milionë euro, si total, duke e përfshirë edhe pagesën e fundit shtesë.
