Emri, sot ose nesër biseda Zaev – Cipras. Protesta në 24 qytete në Greqi, motoja e protestës “Maqedonia është greke”
Bazuar në deklaratat e zyrtarëve në Shkup dhe Athinë, pritet që sot ose nesër të realizohet telefonata e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev...

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve në Shkup dhe Athinë, pritet që sot ose nesër të realizohet telefonata e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, me homologun e tij grek, Aleksis Cipras, e cila është paralajmëruar si bisedë e cila do t’i jepte fund kontestit për emrin.
Zaev që nga fillimi i javës ka deklaruar se është çështje ditësh kur do të ndodhë biseda telefonike mes tij dhe Ciprasit, derisa zyrtarë të Qeverisë greke kanë kërkuar që Zaev t’i thotë po ose jo marrëveshjes, e cila po kërkohet në kuadër të tre propozimeve të ndërmjetësit Nimic, “Maqedonia Veriore”, “Maqedonia e Epërme” ose “Maqedonia e re”.
Edhe ish ministri i jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, duke iu referuar burimeve të tij diplomatike, paralajmëron se marrëveshja do të ndodhë sot ose të premten.
Lidhur me marrëveshjen e paralajmëruar, mijëra qytetarë grekë në 24 qytete protestuan nën moton “Maqedonia është greke”. Protesta qendrore u mbajt në Pela për shkak të simbolikës së këtij vendi, si vendlindje e Aleksandrit të Madh. “Maqedonia është Greqi” ishte parulla që së bashku me flamurin shtetëror grek dominonin në protestë.
Protestë kundër përdorimit të termit “Maqedoni” në marrëveshjen për emrin është paralajmëruar edhe në Athinë, më 8 korrik, vetëm disa ditë para samitit të NATO-s.
Ndërsa gazeta greke “Kathimerini” shkruan sot se shumë pak grekë, mbase asnjë, janë të etur që ta shohin Shkupin ta përdor termin “Maqedoni”.
Megjithatë, gazeta konsideron se kjo luftë ka humbur 25 vite më parë, kurse fakti i parehatshëm është se vendi është njohur me emrin kushtetues nga shumë shtete në botë.
Madje edhe vetë Greqia e përdor një term ku përfshihet “Maqedonia”, sipas marrëveshjes së përkohshme të shkurtesës IRJM, kur vendi u pranua në OKB.
Mirëpo, gazeta thekson se Greqia duhet të bëjë çmos që të ulë sa më shumë dëmin e shkaktuar dhe kjo mund të bëhet përmes shtimit të një “Veriore”, apo “e Re” në emrin Maqedonia.
Çështja kyçe, sipas gazetës, është se si do të njihet IRJM-ja ndërkombëtarisht, kurse tentimi për një formulim sllavisht të emrit do të kishte efektin e kundërt, prandaj gazeta propozon që emri të jetë në anglisht, sepse kushdo do ta thërriste vetëm si Maqedonia.
Si shembuj të mirë gazeta përmend Zelandën e Re apo Korenë e Veriut.
