Botë

Afganistan, armëpushim i përkohshëm me talebanët

07.06.2018 14:36

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, shpalli armëpushimin me kryengritësit talebanë deri më 20 qershor, që përkon më përfundimin e muajit të agjërimit dhe festimet e Bajramit...

Ghani tha se forcat afgane të sigurisë “do t’i ndalojnë ofensivat” kundër talibanëve, por do të vazhdojnë të godasin grupin militant “Shteti Islamik”, “Al Kaidën” dhe grupet e tjera terroriste ndërkombëtare.

Nuk është ende e qartë nëse militantët e kanë pranuar armëpushimin. Njoftimi i Ghanit u bë pak ditë pasi mekanizmi më i lartë fetar i Afganistanit lëshoi një fatva, apo urdhër fetar, që, nën parimet e Islamit, sulmet vetëvrasëse i shpall të ndaluara, ose haram.

Presidenti Ghani ofroi në muajin shkurt njohjen e talebanëve si grup të ligjshëm politik, në një proces që sipas tij mund të çonte në bisedime, që do të mund t’i jepnin fund luftës mbi 16-vjeçare, që vetëm gjatë vitit të kaluar la prapa mbi 10 mijë civilë afganë të vrarë e të plagosur.

Në këmbim, militantët do të duhet të njohin Qeverinë e Kabulit dhe të respektojnë sundimin e ligjit, por ata nuk e kanë pranuar ofertën.