Maqedoni

Osmani - Mogherinit: kemi propozim serioz, zgjidhja e emrit shumë afër

07.06.2018 14:55

Maqedonia dhe Greqia asnjëherë më parë nuk kanë qenë më afër zgjidhjes së çështjes së emrit dhe orët në vijim shpresohet të krijojnë klimë për epilog pozitiv...

Maqedonia dhe Greqia asnjëherë më parë nuk kanë qenë më afër zgjidhjes së çështjes së emrit dhe orët në vijim shpresohet të krijojnë klimë për epilog pozitiv, në njërën anë, dhe nga ana tjetër, të avancohen kushtet e perspektivës integruese të Maqedonisë.
 
Kështu është shprehur zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, pas takimit të tij me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherinin, në Bruksel. 
 
“Kemi përparim serioz dhe si asnjëherë më parë vendet janë afër zgjidhjes. Orët e ardhshme mund të jenë vendimtare për epilogun e negociatave dhe më pan shpresa se epilogu eventual pozitiv do të krijojë një klimë të mirë për thellimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Greqisë si dhe kushteve për avancimin e perspektivës euroatlantike të Maqedonisë”,- ka deklaruar Osmani në takim.
 
Ai ka njoftuar zyrtarët e Brukselit edhe për “Planin 18” të procesit reformues deri në hapjen e negociatave për integrim.
 
Osmani ka shfaqur shpresën për vulosjen e së ardhmes europiane të vendit në Samitin e KE-së më 28 qershor, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Sekretariati për Çështje Europiane.
 
Zëvendëskryeministri Osmani dhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në ditën e parë të vizitës në Bruksel, u takuan edhe me drejtorin e përgjithshëm në Drejtorinë për Zgjerim, Kristijan Danielson, si dhe me komisarin europian për migracion dhe punë të brendshme, Dimitris Avramopoulos. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU