Maqedoni
Sulmi ndaj Ziadin Selës, i akuzuari Toshta do të kërkojë heqje të paraburgimit; Dhuna në Kuvend, sërish refuzohet garancia e Selës për Alimin
07.06.2018 16:14
Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe alivanosjes në seancë gjyqësore e të akuzuarit për sulmin ndaj Ziadin Selës, Aleksandar Janevski - Toshta...

Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe alivanosjes në seancë gjyqësore e të akuzuarit për sulmin ndaj Ziadin Selës, Aleksandar Janevski - Toshta, mbrojtja e tij do të kërkojë që trupi gjyqësor të zëvendësojë masën e paraburgimit me ndonjë masë tjetër më të lehtë.
Avokati mbrojtës i Toshtës, Bojan Vanevski, tha se akoma nuk e ka pranuar dokumentacionin e plotë nga analizat e djeshme të klientit të tij, ndërsa thekson se në burgun e Shutkës nuk ka kushte të përshtatshme për persona me probleme shëndetësore.
Për këtë kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE, sipas të cilëve gjykatës nuk i intereson as gjendja shëndetësore e të akuzuarve, por edhe as dëshmitë e mbrojtjes. Sa i përket lirimit nga akuza për shkak të mungesës së provave për Sasho Senkov, i akuzuar për tentim për vrasje të Ziadin Selës, nga VMRO-DPMNE theksojnë se “për 7 muaj rresht atij iu kanë shkelur të drejtat njerëzore dhe pa bazë dhe dëshmi ka qenë i akuzuar politikisht nga prokuroria klientele e LSDM-së. Senkov është vetëm një nga viktimat e ndjekjes politike”,- qëndron në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Në ndërkohë, sa u përket akuzës për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, gjykata ka refuzuar për herë të dytë garancinë e ofruar nga deputeti, Ziadin Sela, për masën e mbrojtjes në liri të policit, Abdylfeta Alimit. Sela dhe Krenar Lloga kishin ofruar si garanci prona të patundshme, por kjo nuk është vlerësuar e mjaftueshme nga Këshilli Penal.
FLORIJE BELULI KAMBERI
