Maqedoni
Të dhënat e Entit Statistikor përplasin pozitën dhe opozitën për ekonomi
07.06.2018 17:19
Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror Statistikor kanë përplasur pozitën dhe opozitën sa i përket rritjes së ulët ekonomike për kuartalin e parë...

Shkak për rritjen prej 0.1 për qind të BPV-së, sipas ekonomistëve, është mospasja e aktiviteteve të duhura ekonomike në këtë periudhë dhe mosfunksionimi i duhur i sektorit të ndërtimtarisë.
Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, ka akuzuar qeverinë për politika të gabuara ekonomike, mungesë të kuadrit, si dhe ndalimin e projekteve të qeverisë së kaluar, ku, sipas Mickovskit, shihet qartë se kanë ndikuar në uljen e rritjes së BPV-së.
“Enti Shtetëror Statistikor vërtetoi edhe një herë politikën e gabuar ekonomike të LSDM-së. Sipas të dhënave zyrtare, BPV në kuartalin e parë të vitit 2018 ka shënuar rritje minimale prej 0.1 për qind, ndërsa rënie ka shënuar sektori i ndërtimtarisë, informimit dhe komunikimit. Andaj, gjithë këtë mund ta përmbyllim, se ju nuk jetoni më mirë, qytetarët vuajnë nga politikat e juaja ekonomike dhe prandaj kjo gjendje duhet ndryshohet dhe qytetarët duhet të jetojnë më mirë",- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Por, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, paralajmëron se të gjitha të dhënat do të analizohen dhe se deri në fund të vitit do të realizohet rritja e paraparë e BPV-së.
“Kemi ngritje në bujqësi, prodhimtarinë industriale, në tregti dhe sektorin e shërbimeve, ndërsa rënie kemi vetëm në sektorin e ndërtimtarisë së ulët në 30 për qind dhe ky sektor ul dhe BPV-në, por me masat e reja dhe vënien në funksion të projekteve dhe me realizimin e atyre projekteve, besoj që BPV deri në fund të vitit do të arrijë shifrat e parapara”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Koço Angjushev.
Sipas të dhënave të EUROSTAT për rritje ekonomike në kuartalin e parë të vitit 2018, Maqedonia radhitet e fundit sa i përket rritjes ekonomike. Nga ana tjetër edhe odat ekonomike në vend dhe biznesmenët kërkojnë që qeveria të jetë më aktive në realizimin projekteve infrastrukturore dhe realizimin e 100 premtimeve të dhëna.
GAZMEND REXHEPI
