Maqedoni

Filipçe mjekët do t’i dërgojnë analizat e gjakut, banorët e mjediseve rurale nuk do të udhëtojnë; Banorët e Lubotenit të revoltuar: fshati në shekullin XXI nuk posedon ambulancë

07.06.2018 17:50

Pas paralajmërimit të ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçes, se banorët e mjediseve rurale nuk do udhëtojnë për analiza më të detajuara në qytete...

Pas paralajmërimit të ministrit të shëndetësisë, Venko Filipçes, se banorët e mjediseve rurale nuk do udhëtojnë për analiza më të detajuara në qytete, sepse mjekët amë do të jenë të angazhuar që rezultatet e gjakut t’i dërgojnë deri tek qendra më e afërt laboratorike, i menjëhershëm ishte reagimi i banorëve të Lubotenit.
 
Sipas banorëve të anketuar nga TVM2, ky fshat numëron rreth 2000 banorë, por ambulanca e fshatit ka pesë vite që nuk funksionon. Banorët detyrohen që të udhëtojnë deri në lagjen Butel për t’u vizituar tek mjeku amë.
 
Banorët ankohen se ka raste kur reagimi i mjekëve duhet të jetë i menjëhershëm, mirëpo në fshat nuk ka ku të drejtohen as për ndihmë mjeksore urgjente.
 
Ata thonë se është mëkat që në shekullin XXI nuk posedojnë kushte elementare që u garanton kushtetuta, e ajo është e drejta e shërbimit mjeksor në vendbanimin e tyre.
 
“Në Luboten janë 2000 banorë, por ambulancë nuk kemi, rastet urgjente i çojmë në Shkup. Është shumë e vështirë të kemi 2000 banorë dhe të mos ketë ambulancë”,- tha një banor.
 
“Një fshat me 2000 banorë, kemi raste urgjente, pleq, gra, persona me sëmundje kronike. Në kohën e komunizmit ne kemi pasur ambulancë, tash objekti është i zbrazët, ambulanca nuk punon    pesë - gjashtë vite më parë”,- u shpreh një banor. 
 
“Këtu ka nevojë, fshati ka afër 700 shtëpi, duhet të ketë 24 orë ambulancë. Edhe për baranatore kemi nevojë, normal që në raste urgjente e thërrasim ndihmën e shpejtë apo me vetura duhet të vrapojmë, mund ta humbim edhe jetën duke vrapuar për të shpëtuar tjetrin”,- theksoi një banor. 
 
“Fshatarët nuk i kanë sjellë kartonat këtu, sepse që të vijnë mjekë duhet të mbushet kuota, më duket është minimum 500 - 1000 pacientë të regjistruar, e dimë rastin e luftës ku fshatarët janë shpëngulur në qytet dhe kur janë kthyer nuk kanë pasur besim që t’i kthejnë kartonat, ka pasur dilemë”,- deklaroi një banor. 
 
Ndërkohë, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se Maqedonia do ketë sistem të centralizuar për analiza të gjakut. Përmes kësaj metode shteti do të kursejë shuma të mëdha të hollash dhe do zvogëlohet numri i aparateve të testimit të gjakut nga 300 në 120.
 
FLUTURA LATIFI