Maqedoni
Pr/ligj i mediave, pozita votoi amendamentet, opozita kundërshtoi
07.06.2018 18:14
Deputetët e shumicës parlamentare votuan amendamentin e tyre që kandidatët e ardhshëm të Agjencisë së mediave...

Deputetët e shumicës parlamentare votuan amendamentin e tyre që kandidatët e ardhshëm të Agjencisë së mediave, detyrimisht të dorëzojnë së paku një rekomandim/pëlqim nga OJQ-të, universitetet ose shoqatat gazetareske.
Por, deputetët e opozitës kundërshtuan amendamentin me arsyetimin se me këtë kufizohet numri i personave që do të dëshirojnë të kandidohen dhe thanë se kjo lë për të dyshuar në vullnetin e mirë të pushtetit për të përzgjedhur ekspertët më të afërt në këtë institucion.
“Ky amendament nuk i sqaron kriteret, por përkundrazi, jep paqartësi shtesë. Amendamenti është kozmetikë e cila nuk ndryshon asgjë esencialisht nga teksti paraprak i propozuar. Parashtrohet pyetja kush është ai i cili do ta bëjë vlerësimin se sa OJQ –të, të cilët do të duhet të japin pëlqimet e kandidatëve të rinj të Agjencisë së mediave, kanë arritur rezultate të mira në fushën e të drejtave të njeriut dhe media, që do të mundemi ne më vonë të bëjmë përzgjedhjen e duhur”,- tha Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër mazhoranca nuk e pranoi amendamentin e VMRO-DPMNE-së ku parashihej rekomandimet e OJQ-ve të mos jenë të detyrueshme por të jenë vetëm shtesë dhe vullnet i mirë i kandidatëve për ta dorëzuar ose jo gjatë konkurrimit në Agjencinë e mediave. Pushteti arsyetohet. Ligji do të sigurojë profesionalizëm dhe pavarësi të plotë të anëtarëve të Agjencisë së mediave.
“Qëndrimi im personal por edhe i partisë është se debatet e stërzgjatura të opozitës në Kuvend për këtë ligj janë me qëllim për të penguar miratimin e këtij ligji, i cili është me rëndësi të madhe për fushën e mediave dhe për këtë arsye ne nuk paraqitemi me fjalime të shumta. Dua të sqaroj se amendamentet e propozuara nga pushteti janë bërë si rezultat i dy debateve publike që ishin më herët në Komisionin për çështje evropiane dhe të transportit dhe lidhjeve”,- tha Dime Velkovski nga LSDM.
Për propozim-ligjin e ri për media, i cili është në lexim të dytë, janë parashtruar 75 amendamente prej të cilave deri tani kanë kaluar vetëm 9.
VMRO-DPMNE përmes amendamenteve kërkon të mos ndërpriten mandatet e përbërjes aktuale të këshillit programor të RTVM-së dhe të Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuele.
REXHEP QAMILI
