Maqedoni
Biseda Zaev - Cipras për emrin, mediat greke: në pyetje çështje orësh
07.06.2018 18:40
Pas protestave të djeshme në Greqi, të cilat kaluan në atmosferë relativisht të qetë, mediat greke shkruajnë që tani më nuk ka asnjë pengesë...

Pas protestave të djeshme në Greqi, të cilat kaluan në atmosferë relativisht të qetë, mediat greke shkruajnë që tani më nuk ka asnjë pengesë për realizimin e bisedës së shumëpritur telefonike Zaev-Cipras, ku Athina zyrtare është në pritje të përgjigjes përfundimtare.
Duke u thirrur në burime të sigurta nga disa media në Maqedoni, disa media në Greqi parashikojnë që telefonata paraqet vetëm çështje ditësh, madje në disa media të tjera shkruajnë që telefonata Zaev-Cipras është vetëm çështje orësh dhe se Athina pret përgjigje pozitive nga pala maqedonase.
Nga ana tjetër, zyrtarët e të dyja palëve negociatore, qoftë nga pala maqedonase apo ajo greke, nuk dilet me të dhëna zyrtare se a ekziston marrëveshje e arritur për emrin.
Shtypi grek në disa ditë komenton që emri i cili është dakorduar nga të dyja palët është “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Disa të tjera thonë që nëse nuk ndodh ndonjë befasi e madhe, atëherë ”Maqedonia e Veriut” apo e ”Epërme” do të jetë emri i përbërë, si bazë e marrëveshjes, i cili më së voni deri të dielën do të duhet të firmoset në Prespë të Vogël mes dy kryeministrave, Zaev dhe Cipras. Greqia do të fitojë zgjidhje “erga omnes”, ndërsa pala maqedonase mbrojtje të identitetit dhe gjuhës.
Përveç partisë Demokracia e Re, edhe partia Grekët e pavarur janë kundër marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit greko-maqedonas për emrin, ku do të përmendet termi Maqedoni.
Ministri i jashtëm grek, Kocijas, përmes Twitterit i është përgjigjur partisë “Nea Demokratia”, se “gjuha maqedonishte, si gjuhë zyrtare në OKB, daton që nga viti 1997” dhe i porosit të njëjtit në vend që të akuzojnë vazhdimisht, të jenë vetëkritikë.
““Nea Demokratia” këtë fakt duhet ta dijë më së miri, sepse atëbotë kur gjuha maqedonishte u zyrtarizua, kryeministër i Qeverisë greke ishte Konstantinos Karamanlis, njëri nga themeluesit e partisë “Nea Demokratia””,- ka shkruar kryediplomati grek, Nikos Kocijas.
Sipas kornizës së harmonizuar kohore, marrëveshjen e arritur pala greke do ta ratifikojë në Parlamentin grek pas ndryshimeve kushtetuese të cilat duhet të ndodhin në Maqedoni.
