Botë

Erdogan: Pas zgjedhjeve, heqim gjendjen e emergjencës

08.06.2018 13:31

Turqia vijon të jetë në një gjendje emergjence shtetërore, që pas grushtit të dështuar të shtetit në 2016, por presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan...

Turqia vijon të jetë në një gjendje emergjence shtetërore, që pas grushtit të dështuar të shtetit në  2016, por presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se pas zgjedhjeve të 24 Qershorit, do të shikohet mundësia për të kthyer gjendjen normale në vend.

Gjatë një interviste për CNN-in turk, Erdogan tha se heqja e gjendjes së emergjencës do të diskutohet pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në fund të këtij muaji.

“Ekziston mundësia që t’i japim fund gjendjes së emergjencës shtetërore, pas zgjedhjeve të 24 Qershorit. Menjëherë pas dekretimit të tyre, do të mblidhemi për të diskutuar seriozisht këtë çështje”, deklaroi Erdogan.

Zgjedhjet e parakohshme më 24 Qershor, ku pritet të zgjidhet presidenti dhe parlamenti i ri, u thirrën nga presidenti Erdogan, që kërkon një fuqi të plotë vendimmarrëse.