Maqedoni
Osmani: reformat vazhdojnë me Planin 18
08.06.2018 15:07
Plani 3-6-9 dëshmoi se shteti ka potencial të madh, por ka mbetur ende punë në drejtim të reformave të cilat do ta shndërrojnë shtetin në shtet evropian.

Reformat e mbetura do të vazhdojnë të implementohen në kuadër të Planit 18, deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, gjatë lansimit të planit në fjalë.
“Për shkak të nevojës së qytetarëve për jetë më të mirë, për vende të reja të punës, për standard më të lartë jetësor, për shtet të së drejtës, për menaxhim të mirë të shtetit dhe qeverisë... Të gjitha këto qëllime ne do t’i arrijmë nëpërmjet lansimit të Planit të ri 18, që do të kap periudhën nga përfundimi i Planit 3-6-9 apo prej Raportit të KE-së dhe rekomandimit të pastër, deri te fillimi i bisedimeve, dhe do të vazhdojë me principin gjithëpërfshirës dhe inkluzivitet”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Sfidë e radhës tani mbetet samiti i KE–së në qershor, ku duhet vendet anëtare ta aprovojnë fillimin e bisedimeve.
Ndërkaq, Maqedonia dhe qeveria vazhdojnë me përpjekjet e saj për të kapur hapat e nevojshëm për anëtarësim në BE, tha Osmani, duke siguruar se pavarësisht proceseve tjera teknike të shtetit, vendi nuk ka humbur dinamikën në drejtim të integrimit në strukturat euroatlantike.
Në Planin 18 do të inkorporohen të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet e subjekteve politike, por edhe të OJQ-ve, ndërkaq javës së ardhshme pritet të aprovohet në qeveri dhe më pas të fillojë me implementimin.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
