Maqedoni
Bisedimet rreth emrit, Osmani: ka dallime në interpretim; Zhbogar: palët munden të gjejnë zgjidhje
08.06.2018 17:32
Shkupi dhe Athina, edhe pse së bashku hartojnë marrëveshjen për kontestin rreth emrit, siç duket ndryshe e lexojnë...

Pikërisht kjo është edhe arsyeja e ngecjes së procesit dhe mosrealizimit të telefonatës së paralajmëruar mes kryeministrave të dy vendeve përkatëse.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, thotë se po bëhen hapat e fundit dhe më kritike të cilat do të përcaktojnë suksesin ose mossuksesin e procesit.
“Mendoj që ka hapësirë për tejkalim të dallimeve të cilat sipas meje më shumë janë në atë se si interpretohen çështjet e shkruara në letër sesa principet e dakorduara, por të mbetemi të kujdesshëm në këtë periudhë. Nuk do të mundem të flas më tepër për shkak se, siç thashë, janë momente vendimtare, por e di që vullneti është këtu, e di që të gjithë miqtë janë të involvuar për të ndihmuar dhe për të lehtësuar”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar, tha se me padurim po i pret rezultatet nga bisedimet intensive, të cilat po zhvillohen për çështjen e emrit.
“Të dyja palët munden që të gjejnë zgjidhje, dhe kjo nuk do të jetë mirë vetëm për vendin por për tërë rajonin dhe Evropën”,- deklaroi Zhbogar, në Manastir, duke ftuar opinionin që të ketë durim dhe besim në procesin intensiv që po ndodh për zgjidhjen e kontestit 25-vjeçar.
Një ditë më parë, kryeministri, Zoran Zaev, tha se bëhet fjalë për detaje dhe se nuk do të kishte dashur të presë deri më 9 qershor për t’i telefonuar homologut të tij grek.
Por, sipas tij, me rëndësi është që zgjidhja të jetë afatgjate, që kjo çështje të zgjidhet për shumë gjenerata.
SHPËTIM NUREDINI
