Maqedoni

E kujt është Besa, e Gashit apo Kasamit? Apeli kthen vendimin në shkallën e parë

08.06.2018 18:00

Vazhdon beteja institucionale e dy krahëve të Lëvizjes Besa për të marrë pronësinë mbi subjektin...

Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e shkallës së parë apo Gjykatës Themelore për t’i dhënë të drejtë Bilall Kasamit të thirret në emrin e Lëvizjes Besa dhe këtë lëndë e ka kthyer për shqyrtim edhe njëherë në shkallën e parë.
 
Vendimi nuk i pëlqeu krahut të Bilall Kasamit, të cilët vlerësuan se këtu nuk bëhet fjalë për proces të mirëfilltë të drejtësisë, por vendim politik që merret nga presionet të cilat i bëjnë partitë në pushtet.
 
“Fakti që Gjykata e Apelit ka pranuar dëshmi të falsifikuara të cilat nuk janë paraqitur në shkallën e parë, ka pranuar dokumentacion të cilën Lëvizja Besa e ka shpallë si të pavlefshëm, dëshmon se ky proces tanimë shndërrohet në proces të pastër politik. Pyesim gjykatësit e gjykatës në fjalë se çka i shtyri që të marrin një vendim të tillë skandaloz në ditën kur po votohej Qeveria. Prej sot u njoftojmë se kemi nisur procedura juridike, të cilat janë nënshkruar në emër të Lëvizjes Besa dhe kanë falsifikuar vulat e partisë”,- tha Abdush Demiri nga BESA e Bilall Kasamit.
 
Ndërsa nga BESA e Afrim Gashit i kanë hedhur poshtë këto pretendime dhe pohuan se për drejtësinë nuk duhet ndërmjetësim, sepse drejtësia edhe pse vonon, nuk harron.
 
Tanimë ranë maskat e vërteta të falsifikatorëve dhe demoluesve të zyrave, dhe se BESA mbetet e besatarëve, theksojnë nga krahu i Gashit.
 
“Jam këtu që t’u them se drejtësia po kthehet në vendin e saj. Jam këtu që t’u them se përkundër trumbetimeve, llafeve dhe shpifjeve nga ata që falsifikuan edhe emrat personalë të njerëzve për interesa të tyre personale, drejtësia fitoi. Nga sot falsifikuesit, përçarësit dhe vandalët e zyrave, mund të shkojnë kah të duan, sepse Lëvizja Besa u takon besatarëve. Ankesat e Gjykatës së Apelit, e Gjykatës Administrative dhe e Prokurorisë Publike është bërë shumë më herët sesa Lëvizja Besa të bëhet pjesë e Qeverisë”,- theksoi Zejdi Rexhepi nga BESA e Afrim Gashit.       
                           
Krahu i Afrim Gashit pret që vendimin përfundimtar ta marrë Gjykata e Apelit, gjatë javës së ardhshme, dhe me këtë të përfundojë procesi gjyqësor, i cili po zgjat më tepër se 5 muaj.
 
Kurse nga krahu i Bilall Kasamit kanë paralajmëruar se do të dërgojnë ankesë, por do të ngrihet edhe padi ndaj disa personave të cilët kanë falsifikuar vulat dhe nënshkrimet e anëtarëve të regjistruar si pjesë të Kuvendit të Përgjithshëm të Partisë. 
 
FITIM KRYEZIU