Maqedoni

Nxënësit iu nënshtruan maturës për gjuhë amtare

09.06.2018 18:23

Maturantët e gjithë shkollave të mesme të Maqedonisë sot ju nënshtruan provimit të dytë me radhë, asaj të gjuhës amtare....

Nga Qendra për Provime Shtetërore, bëjnë të ditur se në gjuhën maqedonase do të japin provim 10.119 maturantë, në gjuhën shqipe 4.474, ndërsa për gjuhën turke 373 maturantë. Nga shkolla e mesme  “Zef Lush Marku”, dhe “Cvetan Dimov”,  njoftuan se testimi është zhvilluar në rregull dhe pa probleme.
 
Ndërkohë, disa prej nxënësve thonë se nuk kanë hasur asnjë lloj paqartësie në pyetjet, e disa të tjerë shprehen se pyetjet kanë qenë për nivel akademik dhe jo për nxënës të shkollës së mesme. Më datë 11 qershor do të mbahet provimi shtetëror për lëndën e kimisë, ku do të jenë gjithsej 241 kandidatë.
 
100 nxënës do të testohen në lëndën e fizikës, 3737 në biologji, 2610 në histori, 2923 në filozofi, 180 në estetikë dhe 3939 në biznes. Më 13 qershor do të testohen edhe maturantët të cilët kanë zgjedhur të japin provim në matematikë, ndërsa janë paraqitur 1926 kandidatë të tillë.
 
Ky është viti i 12 që në Maqedoni organizohen provimet e Maturës shtetërore të cilat kanë zëvendësuar dhënien e provimeve pranuese nëpër fakultete e, që në bazë të përvojës së shumë shteteve evropiane konsiderohen edhe tek ne si provime përfundimtare të cilat certifikojnë mbylljen e ciklit të arsimit të mesëm, i obligueshëm për të gjithë nga viti 2007.