Botë
Ebola, Sierra Leone në gjendje emergjence, Liberia mbyll shkollat
31.07.2014 16:57
Presidenti i Sierra Leones ka shpallur emergjencën civile të shëndetit publik...

Presidenti i Sierra Leones ka shpallur emergjencën civile të shëndetit publik, për të mbajtur nën fre shpërthimin e virusit vdekjeprurës të Ebolës.
Ernest Bai Koroma tha se epiqendra e shpërthimit të virusit, në Lindje, duhet të futet në karantinë, si dhe i kërkoi forcave të sigurisë të përforcojnë masat mbrojtëse.
OKB ka bërë të ditur se më shumë se 672 persona kanë vdekur në Afrikën Perëndimore nga Ebola, që prej muajit Shkurt, shumica e të cilëve - rreth 224 - vetëm në Sierra Leone.
Si pjesë e masave të reja për të frenuar gripin viral hemorragjik, udhëtuesit në aeroporte duhet të lajnë duart me disifektues dhe t’u kontrollohet temperatura, tha presidenti në një deklaratë.
Presidenti Koroma ka anuluar një vizitë në Uashington, për samitin e javës së ardhshme SHBA-Afrikë, për shkak të kësaj krize.
Masat e tij ndjekin politikat e ashpra kundër Ebolës, të njoftuara këtë javë në vendin fqinj, Liberi. Qeveria e Liberisë ka njoftuar mbylljen e të gjitha shkollave në vend për të ndaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës. Spitalet në kryeqytetin Monrovi janë tejmbushur dhe doktorët janë detyruar që t’i mjekojnë në shtëpi shumë nga pacientët e tyre. 1 gushti do të jetë pushim në të gjithë Liberinë në mënyrë që të lejohet dizinfektimi i të gjitha shërbimeve publike.
Virusi shkaktar i Ebolës është një nga më të rrezikshmit në botë. Ai përhapet shumë shpejt, është tepër rezistent, mbijeton edhe te kufomat, ndaj këshillohet që viktimat të varrosen nga punonjës të shëndetësisë.
Origjinën e tij, shkencëtarët ende nuk kanë arritur ta zbulojnë, por mendohet se virusi transmetohet mes kafshëve, e gjuetarët që i vrasin e i hanë infektohen, duke e transmetuar më pas edhe te të tjerët.
AMIR DURAKU
