Botë

Grupi i Normandisë diskuton sot konfliktin në Ukrainë

11.06.2018 11:14

Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës, do të takohen të hënën në Berlin për të diskutuar konfliktin në lindje të Ukrainës...

Në negociatat e njohura si “Formati i Normandisë”, pritet të diskutohet çështja e angazhimit të një misioni paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në zonën e konfliktit.
 
Të gjitha palët mbështesin një mision paqeruajtës në lindje të Ukrainës, mirëpo kanë mospajtime rreth mandatit të tij.
 
Gjermania dhe Franca dëshirojnë që trupat të vendosen në të gjitha zonat e kontrolluara nga rebelët e përkrahur nga Rusia, duke përfshirë kufirin Ukrainë-Rusi.
 
Rusia kundërshton këtë ide.
 
Më shumë se 10,300 persona janë vrarë në luftimet në mes të separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase në lindje të Ukrainës nga prilli i vitit 2014.
 
Përpjekjet për të krijuar armëpushim në zonën e konfliktit kanë dështuar./evropaelire