Botë

Deti Mesdhe, shpëtohen mbi 300 migrantë, 4 të vdekur

11.06.2018 13:11

Autoritetet në Spanjë kanë arritur të shpëtojnë 334 migrantë dhe kanë nxjerrë nga ujërat e Detit Mesdhe katër trupa të pajetë...

Shërbimet e shpëtimit kanë thënë se migrantët po udhëtonin nga Afrika për në Evropë me nënte anije të ndryshme. Në një anije, autoritetet spanjolle kanë gjetur katër trupa të pajetë, së bashku me 49 migrantë.
 
Shkaku i vdekjes së këtyre migrantëve ende nuk është përcaktuar. Kombet e Bashkuara kanë thënë se të paktën 785 migrantë kanë humbur jetën këtë vit, në përpjekjet e tyre për të arritur në Evropë përmes Mesdheut.
 
Të shtyrë nga konfliktet e dhunshme dhe varfëria ekstreme, dhjetëra mijëra migrantë nga Afrika tentojnë të arrijnë në Evropë çdo vit, duke kaluar Mesdheun. Shumica e anijeve me të cilat ata udhëtojnë nuk i plotësojnë kushtet për udhëtime të tilla dhe qindra migrantë humbin jetën çdo vit në Mesdhe.