Maqedoni

Specializantët me ankesë: Nuk vlerësohet puna, por përkatësia partiake

11.06.2018 14:29

Arsyeja kryesore për migrimin e personelit mjekësor nga Maqedonia nuk janë vetëm pagat....

Arsyeja kryesore për migrimin e personelit mjekësor nga Maqedonia nuk janë vetëm pagat, por edhe fakti që mjekët nuk vlerësohen sipas meritës, por sipas linjës partiake, ndërkohë specializantëve u mungon edhe puna praktike dhe shpërndarja në vende pune joadekuate. Ishin këto disa nga problemet që parashtruan specializantët në tribunën “Si të parandalohet migrimi shqetësues i personelit mjekësor”.
 
“Ka veç më katër vite e gjysmë që jam diplomuar në kirurgji. Por, askush deri më tani nuk e sheh të arsyeshme që të transferohem në Klinikën e traumatologjisë, sepse kjo ndodh në vendin tonë sipas linjës partiake. Deri më tani punoj në Qendrën urgjente, ku nuk e ushtroj profesionin tim. Para tre vitesh kam specializuar në Klinikën “Oslo” të Norvegjisë, por ende vazhdoj të punoj në Qendrën urgjente. Ky është fati im dhe i pesë mjekëve specializantë që nuk punojnë në lëmin e tyre dhe dihet se nëse mbetesh një kohë pa punuar në profesion, humb edhe aftësitë për ta ushtruar atë”,- deklaroi kirurgia, Vesna Jakimovska.
 
“Ne si specializantë kemi problem, sepse nuk na japin punë të mjaftueshme praktike, problem shtesë është edhe fakti se nuk kemi sirtar ku të mund t’i vendosnim gjësendet personale”,- tha specializanti, Nenad Mircevski.
 
Zaev: Të flasim zëshëm, të tërhiqen ndikimet. Deri në vitin 2020, pagat e mjekëve mbi 1000 euro
 
Ndërkohë, kryeministri Zaev dhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëruan zgjidhje sistemore ligjore. Duhen tërhequr të gjitha dobësitë që ka sistemi ynë, siç është ndikimi i partive politike që të gjithë të kenë mundësi të njëjta. Këtë do ta arrijmë nëse flasim zëshëm, tha Zaev, i cili paralajmëroi rritje të pagave për specialistët.
 
“Deri në vitin 2020 paga e specializantëve në Maqedoni do duhet të jetë 100.000 denarë. Veç më janë rritur edhe mjetet për kujdestari të personelit mjekësor. Qeveria ka miratuar edhe propozim program për kofinancimin e specializantëve të punësuar në institucionet private për vitin 2019 dhe deri në vitin 2020 do të sigurohet sistem financiar cilësor i mbrojtjes shëndetësore”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Konkursi për pranimin e specializantëve të rinj do jetë në shtator dhe një pjesë e tij në qershor. Deri më tani po bëhen përpjekje që profesionalizmi i mjekëve tanë që punojnë jashtë vendit t’u përçohet mjekëve që punojnë në Maqedoni. Po ashtu do të realizoj takim me mentorët, që të mundet specializantëve t’u mundësohet edukim sa më cilësor”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Analizat parësore tregojnë se vetëm në Shkup mungojnë 100 mjekë, ndërsa në tërë vendin kjo shifër është trefish më e madhe.
 
FLUTURA LATIFI