Maqedoni

Prezantohen “bombat” për rrënimin e “Kosmosit”, PPS: Gruevski e Janakievski “përgatisin” skenarin

11.06.2018 16:04

Të akuzuarit në rastin “TNT” të Prokurorisë Speciale Publike, Nikolla Gruevski, Mile Janakievski dhe Toni Trajkovski...

Të akuzuarit në rastin “TNT” të Prokurorisë Speciale Publike, Nikolla Gruevski, Mile Janakievski dhe Toni Trajkovski, dëgjuan bisedat e tyre të përgjuara telefonike, ku pretendohet se ata kurdisin rrënimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit, Fiat Canovski.
 
Prokurori special, Burim Rustemi, në gjykatë prezantoi gjithsej 26 biseda të përgjuara telefonike, 16 prej të cilave të papublikuara deri më tani dhe 57 mesazhe mes Gruevskit dhe Janakievski, me të cilat pretendohet se këta të fundit në vitin 2011 kanë kryer vepër penale “urrejtje politike”.
 
Për rrënimin e “Kosmosit”, Gruevski dhe Janakievski janë dëgjuar dhjetëra herë në ditë, për të përgatitur skenarin е rrënimit të objektit, i cili aso kohe ka qenë në fazë të ndërtimit dhe nuk ka qenë e mundur të dihet nëse është bërë ose jo tejkalimi i objektit jashtë lejes së ndërtimit, u tha në gjykatë.
 
Në njërën prej bisedave, Gruevski i kërkon Janakievskit që me “top të madh nga betoni” të rrënojë “Kosmosin”, ndërsa në një bisedë tjetër mes tyre, Janakievski i thotë Gruevskit se “Koce dhe Toni do ta pësojnë”, duke aluduar te ish kryetari i Shkupit dhe ai i komunës së Gazi Babës.
 
Në një bisedë tjetër, Gruevski dëgjohet se si në bashkëpunim me ish ministren e brendshme, Gordana Jankullovskën, ish ministrin, Nikolla Todorovin, dhe ish zëdhënësin e qeveri, Aleksandar Gjorgjievin, përpilojnë përgjigjen “non pejper” për t’u justifikuar para të huajve për objektin e rrënuar. Avokatët e të pandehurve në gjykatë adresuan një sërë vërejtjesh. Seanca e ardhshme gjyqësore për këtë rast është caktuar për më tre korrik. 
 
REXHEP QAMILI