Gjykimi për sulmin ndaj Ziadin Selës, dy të akuzuar e pranojnë fajin; PP: Të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen

11.06.2018 16:10

Të akuzuarit në rastin për sulmin ndaj deputetit, Ziadin Sela...

Të akuzuarit në rastin për sulmin ndaj deputetit, Ziadin Sela, në ngjarjet më 27 prill në Kuvend, Ceo Gjorgjievski dhe Stojan Pavleski, e kanë pranuar fajin. Fajin për veprën e kryer e pranuan pas rikualifikimit të lëndës, ku gjykata nga “tentimi për vrasje” për këta të akuzuar e rikualifikoi lëndën në “dhunë”.

Dy të akuzuarit gjatë seancës së sotme thanë se ndjehen fajtorë dhe janë shumë të penduar për veprën që e kanë kryer. Ata para trupit gjykues thanë se më asnjëherë nuk do ta përsërisnin një vepër të tillë. Ndërsa akti i dhunës që ka ndodhur natën e 24 prillit ka qenë si pasojë e mllefit dhe agresionit që kanë përjetuar atë natë.

“Pres dënim me kusht pasi që nuk kisha veprime të rënda kundër deputetëve. Nuk do të kisha hyrë aty asnjëherë më sikur edhe e tëra të digjet”,- deklaroi i akuzuari, Stojan Pavlevski.

Prokurori i angazhuar në këtë rast në fjalët e tij të fundit kërkoi nga trupi gjykues që këta të akuzuar të shpallen fajtorë për veprën që ngarkohen dhe t’u shqiptohet dënimi i paraparë, që sipas Ligjit është prej 6 muaj deri më 5 vite. Prokurori shtoi se çfarëdo lloj mase alternative që eventualisht do të shqiptohej, do të jetë banalizim i tërë gjykimit.

“Të akuzuarit kanë qenë të vetëdijshëm, cili do të kishte qenë qëllimi i tyre, se kanë kaluar kufirin e të lejuarës, ata nuk kanë protestuar, por kanë vënë në rrezik jetë, kanë sulmuar deputetë, duke hedhur gjësende të forta”,- tha prokurori. Ai kërkoi nga trupi gjykues që t’i sanksionojë në mënyrë që të japin porosi të qartë se kështu nuk mundet dhe nuk guxon.

Trupi gjykues më datën 13 qershor do të shpallë aktvendimin për këta dy të akuzuar. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)