Maqedoni
Objekti i ri komunal në Haraçinë, Zaev: Në Haraçinë, një investim i madh nga jashtë
11.06.2018 16:30
Baraka e vjetër prej rreth shtatë dekadash, që aktualisht shërben si objekt komunal në Haraçinë....

Baraka e vjetër prej rreth shtatë dekadash, që aktualisht shërben si objekt komunal në Haraçinë, së shpejti do të zëvendësohet me objekt të ri. Ky objekt, mungesa e kanalizimit dhe kushteve tjera për jetë normale, janë dëshmi se kjo komunë është lënë në margjina të shoqërisë, deklaroi kryeministri, Zoran Zaev, me rastin e gurthemelit për ndërtimin e objektit të ri komunal. Ky nuk do të jetë investimi i vetëm kapital në Haraçinë, premtoi kryeministri.
“Deri tani kemi bërë rekonstruimin e shkollës, kemi bërë rekonstruimin e varrezave myslimane dhe të krishtera, punojmë në projekt-dokumentacionin për kanalizimin dhe zgjidhjen e përkohshme të çështjes së ujit për pije. Për momentin po punohet në planin urbanistik për një investim të madh të huaj këtu në Haraçinë. E kemi dhënë fjalën, Haraçina përfundimisht do të jetë komunë e bukur me infrastrukturë të rregulluar”,- tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Objekti i ri i administratës komunale në Haraçinë do të financohet nga Fondet e Bashkimit Evropian, ndërsa programin e administron Banka Botërore dhe e zbaton Ministria e Financave.
“Ky projekt duhet t’i sigurojë popullatës lokale qasje drejt shërbimeve më të mira komunale. Përmirësimi i kushteve të punës për të punësuarit do të ketë si rezultat një qeverisje lokale të decentralizuar, që do të jetë më efikase. Vetë efikasiteti i administratës lokale dhe ndërtimi i kësaj ndërtese duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane, duke pasur parasysh qasje edhe për personat me pengesa në zhvillim dhe efikasitetin energjetik”,- tha ambasadori i BE-së në Shkup, Samues Zhbogar.
Objekti i ri komunal është shumë i nevojshëm që administrata komunale të mund t’u japë shërbime dinjitoze qytetarëve të saj, deklaroi kryetarja e komunës së Haraçinës, Milikije Halimi.
“Sot vihet gurthemeli i objektit komunal, një objekt aq i nevojshëm për të shërbyer qytetarët në mënyrë dinjitoze. Deri tani kemi shfrytëzuar objekt joadekuat apo barakë, e cila ishte e ndërtuar në vitin e largët 1952. Prej këtu e kuptojmë edhe rëndësinë e këtij objekti që sot po e hedhim gurthemelin, me ndihmën e BE-së, IPA fondet e administruara nëpërmjet Bankës Botërore dhe Ministrisë së Financave po fillojmë me një ndërtesë të re, siç i ka hije një komune”,- theksoi kryetarja e komunës së Haraçinës, Milikije Halimi.
Objekti i ri pritet të përfundojë deri më 31 dhjetor të këtij viti, për çka do të investohen rreth 242 mijë euro, pjesa më e madhe e të cilave (mbi 180 mijë euro) janë siguruar nga Fondet e Bashkimit Evropian, dhe rreth 65 mijë euro nga buxheti i Republikës së Maqedonisë.
GYLTENE SINANI
