Maqedoni
Raporti i KE-së në Kuvend, Osmani: Na duhet konsensus për integrimet
11.06.2018 17:22
Maqedonia meriton datën për fillimin e bisedimeve me BE-në, ndërsa qeverisë i mbetet të dëshmohet politikisht me qëllim që pas dy javëve në Samitin e KE-së....

Maqedonia meriton datën për fillimin e bisedimeve me BE-në, ndërsa qeverisë i mbetet të dëshmohet politikisht me qëllim që pas dy javëve në Samitin e KE-së, vendet anëtare të BE-së të binden për t’i dhënë dritë jeshile fillimit të negociatave. Kështu deklaroi në kuvend zëvendëskryeministri për eurointegirme, Bujar Osmani, duke diskutuar raport progresin e BE-së.
“Gjithë potencialet që na i hapi ky raport, kontesti politik në të cilin ndodhemi në këtë moment, mbetet një sfidë për të gjithë ne, si deputetë, funksionarë dhe përfaqësues të partive politike, që reformave të nisura t’u shkojmë deri në fund, për shkak se vetëm kështu do të bëjmë realitet integrimin euroatlantik. Më mban shpresa se pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, do të dalim nga taborët tanë politik, po deshët edhe nga ata etnikë dhe personalë, për të arritur një konsensus të gjerë, i cili do të na mundësojë hyrjen në sistemet bashkëkohore euroatlantike”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Deputeti i VMRO–DPMNE-së, Nikolla Popovski, tha se për qeverinë momentalisht nuk janë prioritare eurointegrimet.
Por, deputeti Misovski nga LSDM iu përgjigj se së paku Maqedonia doli nga një shtet i izoluar për të gjetur miqtë e saj.
“KE nuk bën raporte për qeverinë, por për shtetin dhe për konstatime të mira dhe të këqija kemi të drejta dhe përgjegjësi që nuk duhet anashkaluar”,- theksoi Nikolla Popovski nga VMRO–DPMNE.
“Nga atributi negativ, shtet i robëruar, z.Popovski, ne filluam të ndërtojmë shoqëri të re. Punë me nikoqirllëk, përkundër keqpërdorimit të parave të popullit, paga më të larta, qeveri të hapur përkundër manipulimit, miq me të gjithë botën përkundër izolimit të shtetit”,- u shpreh Goran Misovski nga LSDM.
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, tha se vendi, e posaçërisht elita politike, nuk po ndryshon mentalitetin në favor të përputhjes së standardeve me ato evropiane.
“Pa marrë parasysh sa raporte të progresit po pranojmë, mentaliteti ynë si elitë politike nuk po ndryshon dhe vështirë se po ecim t’i përputhim standardet evropiane në shoqërinë tonë. Për kë po i bëjmë reformat? Për Brukselin apo për veten?!”,- tha Artan Grubi nga BDI.
Blloku i pozitës kërkoi që të gjendet harmonizim dhe konsensus në hapat e mëtutjeshëm të vendit në rrugën eurointegruese në planin 18 dhe në dokumentet tjera që do të vijojnë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
