Maqedoni
Karadak, vendoset gurthemeli i kufirit Bellanoc-Stançiq
11.06.2018 18:05
Pas përgatitjeve infrastrukturore të rrugës rajonale Sllupçan - Bellanoc, sot në prani të qytetarëve të shumtë...

Pas përgatitjeve infrastrukturore të rrugës rajonale Sllupçan - Bellanoc, sot në prani të qytetarëve të shumtë, ministrave të dy qeverive dhe euroambasadorëve në Maqedoni dhe Kosovë, Samuel Zhbogar dhe Nataliya Apostolova, u vu guri themeltar i pikës së përbashkët kufitare Bellanoc – Stançiq, që lidh Republikën e Maqedonisë me Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, këtë pikë kufitare e vlerësoi si një derë të re për të komunikuar mes dy vendeve.
“Ne jemi sot në Karadak, kjo është një zonë e bukur malore me një lartësi mbidetare mbi 1000 m. Banorët e kësaj ane kanë pasur edhe një lartësi të vetëdijes nacionale e politike. E shohim këtë pikë kufitare si një derë të re për të komunikuar dhe ndërvepruar në mes të vendeve tona. Qytetarëve të të dyja anëve u është dashur të kalojnë 160 km rrugë për ta vizituar një mik, një shok, një anëtar të familjes në një largësi prej 20-30 km. Ne e shohim edhe si një urë për zhvillimin ekonomik në mes dy vendeve tona”,- deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Maqedonisë, Bujar Osmani, tha se ky pikëkalim kufitar u mundëson shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit t’i mbajnë gjallë lidhjet e tyre familjare e shoqërore.
“Ky vendkalim ka për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve të këtyre komunave dhe atyre fqinje, gjë që është edhe parakusht edhe për rritjen e shkëmbimit ekonomiko-tregtar mes këtyre zonave, potencial i fuqishëm për të bërë biznes, për mirëqenie e prosperitet ekonomik. Dorën në zemër, ky projekt ka një rëndësi të posaçme për shqiptarët nga të dyja anët e kufirit dhe si i tillë është si një urë më shumë për komunikimin më të afërt dhe pa barriera mes shqiptarëve të këtyre anëve për shkëmbime më të lehta ekonomiko-tregtare-kulturore, por edhe mbajtjen gjallë të lidhjeve miqësore e familjare”,- deklaroi zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani.
Kjo është pika e tretë kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, por ajo e cila e dallon këtë pikë është se ndërtohet në konceptin e menaxhuar të kufirit me një pikë të përbashkët kufitare, e cila hyn në kategorinë e pikës A, që nënkupton edhe për qarkullim të mallrave edhe të udhëtarëve.
FATLUM AQIFI
