Botë

Italia refuzon lejen e zbarkimit, 629 migrantë të bllokuar në detin Mesdhe

11.06.2018 18:43

Bashkimi Evropian dhe Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, UNHCR, kërkuan që t'i jepet fund një mosmarrëveshjeje politike, e cila ka lënë 629 migrantë të bllokuar në një anije në det.
 
Bashkimi Evropian dhe Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, UNHCR, kërkuan që t'i jepet fund një mosmarrëveshjeje politike, e cila ka lënë 629 migrantë të bllokuar në një anije në det.
 
Anija, me 123 të mitur të pashoqëruar dhe shtatë gra shtatzëna, në mesin e të tjerëve, është duke pritur në ujërat ndërkombëtarë midis Italisë dhe Maltës, pasi dy vendet refuzojnë ta pranojnë të zbarkojë. Ministri i brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, e bllokoi anijen, duke thënë se "shpëtimi i jetëve në det është detyrim, porse transformimi i Italisë në një kamp të madh refugjatësh nuk është".
 
"Këtë herë dikush duhet të thotë jo", tha Salvini. UNHCR-ja u bëri thirrje qeverive t'i lënë mënjanë çështjet politike dhe "të shpëtojnë qindra migrantë afrikanë që kanë nevojë për ndihmë".
 
Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, tha se e ka informuar homologun e tij italian, Giuseppe Conte, se vendi i tij nuk do ta pranojë anijen.
 
"Veprimet e autoriteteve italiane shkojnë dukshëm në kundërshtim me rregullat ndërkombëtarë dhe mund të krijojnë një situatë të rrezikshme për të gjithë të përfshirët",- tha Muscat.
 
"Bëhet fjalë për njerëz... Prioritet i autoriteteve italiane dhe malteze është të sigurojnë se këta njerëz marrin kujdesin e duhur",- tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.