Botë
Sanchez: Spanja pranon anijen me 629 migrantë
11.06.2018 19:15
Spanja do të shpëtojë anijen e bllokuar në Mesdhe me migrantë, për të shpëtuar katastrofën humanitare, deklaroi kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez....

Sanchez tha se do ta lejojë anijen Aquarius të ankorohet në portin e saj me 629 njerëzit në bord, pasi Italia dhe Malta refuzuan ta bëjnë një gjë të tillë. Sanchez tha se anija do të ankorojë në Valencia. Me 123 të mitur të pashoqëruar dhe shtatë gra shtatzëna në mesin e të tjerëve, është bllokuar qysh në fundjavë në ujërat ndërkombëtarë midis Italisë dhe Maltës.
Paraprakisht, Bashkimi Evropian dhe Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara UNHCR kërkuan që t'i jepet fund një mosmarrëveshjeje politike, e cila ka lënë 629 migrantë të bllokuar në një anije në det. Anija, me 123 të mitur të pashoqëruar dhe shtatë gra shtatzëna në mesin e të tjerëve, është duke pritur në ujërat ndërkombëtarë midis Italisë dhe Maltës, pasi dy vendet refuzojnë ta pranojnë të zbarkojë. Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, e bllokoi anijen, duke thënë se "shpëtimi i jetëve në det është detyrim, porse transformimi i Italisë në një kamp të madh refugjatësh nuk është".
"Këtë herë dikush duhet të thotë jo", tha Salvini. UNHCR-ja u bëri thirrje qeverive t'i lënë mënjanë çështjet politike dhe "të shpëtojnë qindra migrantët afrikanë që kanë nevojë për ndihmë". Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, tha se e ka informuar homologun e tij italian, Giuseppe Conte, se vendi i tij nuk do ta pranojë anijen.
"Veprimet e autoriteteve italiane shkojnë dukshëm në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare dhe mund të krijojnë një situatë të rrezikshme për të gjithë të përfshirët",- tha Muscat.
"Bëhet fjalë për njerëz ... Prioritet i autoriteteve italiane dhe malteze është të sigurojnë se këta njerëz marrin kujdesin e duhur",- tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.
