Takohen Trump dhe Kim Jong Un: Prelud i paqes, tejkaluam të shkuarën
Presidentët, Donald Trump dhe Kim Jong Un, bënë histori me një shtrëngim dore....

Presidentët, Donald Trump dhe Kim Jong Un, bënë histori me një shtrëngim dore, para se të fillonin bisedimet rreth denuklearizimit të mundshëm të Gadishullit korean.
Përballja e shumëpritur e dy kundërshtarëve të mëdhenj, që për pak e çuan botën në prag të një konflikti bërthamor, u realizua në ishullin e blinduar të Sentosas, në Singapor.
Ky është takimi i parë i një presidenti aktual amerikan dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut. Deklaratat në publik zgjatën vetëm një minutë. Pas kësaj, dy udhëheqësit mbyllën dyert për një takim kokë më kokë, ku të pranishëm ishin edhe përkthyesit e më pas u mbajt takimi mes dy delegacioneve të zgjeruara.
“Z. Kim, është një nder i madh të jem me ju këtu dhe unë e di se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm së bashku. Ne do të zgjidhim problemin tonë të madh, dilemën tonë të madhe, që deri në këtë moment nuk ka qenë e mundur të zgjidhet. Duke punuar së bashku, ne do ta zgjidhim atë. Është një nder i madh. Faleminderit shumë”,- tha presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
“Do të ketë sfida përpara, por ne do të punojmë me Trumpin. Kemi mposhtur të gjitha llojet e skepticizmit dhe spekulimeve për këtë samit dhe besoj se kjo është diçka e mirë për paqen. Ne tejkaluam me guxim të kaluarën, e cila na mbante mbrapa dhe u ulëm bashkë; mendoj se ky është një prelud i paqes”,- theksoi presidenti i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
“Ne do ta zgjidhim, do të jemi të suksesshëm dhe mezi pres që të punoj me ju. Do të bëhet, ju faleminderit shumë”- u shpreh presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
Sa i përket çështjes kyçe mbi të cilën janë hasur vështirësitë më të mëdha, çarmatimit nuklear të Koresë së Veriut, i njëjti, sipas Trump, do të nisë shumë shpejt. Kina nxitoi ta përshëndeste samitin e rrallës, duke deklaruar se: “fakti i thjeshtë që dy liderët arritën të ulen së bashku e të angazhohen në mënyrë të barabartë në bisedime është i rëndësishëm, pozitiv dhe çel një faqe të re në histori”. (Fitore Demolli, TVM2)
