Kocias për marrëveshjen me Shkupin: Nëse arrihet, japim dritë jeshile për në NATO

12.06.2018 14:47

Kreu i diplomacisë greke, Nikos Kocijas, e ka cilësuar si hap vendimtar...

Kreu i diplomacisë greke, Nikos Kocijas, e ka cilësuar si hap vendimtar atë që është arritur në bisedën telefonike mes dy kryeministrave, Cipras dhe Zaev.

Në intervistën dhënë për televizionin grek “Contra”, shefi i diplomacisë greke tha se me marrëveshje të ratifikuar në parlamentin e tyre, Greqia do të japë “dritën jeshile” në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së më 25 qershor dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, NATO do të japë ftesë për anëtarësimin e Maqedonisë. Por, Kotcias përmendi në intervistën e tij se “drita jeshile” do të jepet në paket edhe pas arritjes së marrëveshjes me Shqipërinë.

“Sapo të kemi marrëveshje të ratifikuar, e shpresoj që do të kemi, nga parlamenti i tyre, si dhe ratifikim të çështjeve që i kemi me Shqipërinë, ne me kënaqësi do të dakordohemi që ata të nisen në rrugën e tyre evropiane. Ftesa për në NATO mund të jepet siç është planifikuar, nëse gjithçka shkon në rregull, edhe në Samitin e 11-12 qershorit. Për këtë ftesë duhet ratifikim nga të gjitha vendet anëtare”,- deklaroi ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kocijas.

Ndërkohë, Partia opozitare Demokracia e Re thotë se do të kërkojë debat në Kuvendin e Greqisë para se të nënshkruhet marrëveshja dhe më pas të informohen edhe qytetarët.

“Para Prespës dhe para çfarëdo vendimi ose marrëveshjeje, duhet të njoftohet Kuvendi dhe qytetarët, sepse mendoj se edhe nënshkrimi e obligon vendin, aq më shumë që partneri i koalicionit Panos Kamenos është kundër përdorimit të termit Maqedoni”,- theksoi përgjegjësi për politikën e jashtme në Partinë Demokracia e Re, Giorgos Koumoutsakos.

Zgjidhja e kontestit ka zënë vend të gjerë edhe në mediat greke, që shkruajnë se marrëveshja prej 20 faqesh qartë përcakton se gjuha maqedonase është gjuhë sllovene ndërsa për shtetësinë do të përdoret termi: maqedonas - qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke qartësuar se nuk ka lidhje me civilizimin antik grek. Nga Kushtetuta e Maqedonisë duhet të fshihet neni që parashikon përkujdesjen për qytetarët maqedonas jashtë kufijve shtetërorë. Kompletimi i marrëveshjes do të presë ratifikimin në Kuvendin e Maqedonisë, e nëse presidenti nuk e nënshkruan, e njëjta kthehet në rivotim të dytë, shkruajnë mediat greke. Më pas, Qeveria greke do të njoftojë me shkrim BE-në dhe NATO-n, se inkurajon fillimin e bisedimeve dhe marrjen e ftesës për në Aleancë, pasi të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri Zaev, ndërkohë, përmes një letre do të njoftojë gjithashtu 190 vendet anëtare të KB-së, se në vazhdim vendi do të përdorë emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”, në marrëdhëniet dypalëshe dhe në forumet ndërkombëtare. Në tetor, Maqedonia duhet të organizojë një referendum, dhe nëse rezultati është pozitiv, do të vazhdojnë ndryshimet kushtetuese.

Nëse rezultati është negativ, plani B konsiston në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pas kompletimit të këtyre procedurave në Shkup, Greqia do të ratifikojë marrëveshjen në Parlament dhe njëkohësisht edhe ftesën për anëtarësim në NATO.

Mediat proqeveritare greke shkruajnë se me këtë marrëveshje Greqia fiton emër të përbërë me përcaktim gjeografik për përdorim të përgjithshëm dhe ndryshime në Kushtetutën e Maqedonisë, si këmbim pret që Gjermania të përmirësojë kushtet për borxhin grek dhe shtyrjen e kërkesës për uljen e pensioneve. (Fitim Kryeziu, TVM2)