Maqedoni
ShGM, Selmani: Dhuna ndaj gazetarëve, e papranueshme; MPB, Spasovski: Zero tolerancë kundër lirisë së fjalës
12.06.2018 15:05
Organet e rendit duhet ta kenë të qartë se gazetarët të cilët raportojnë nga protestat nuk janë armiq të tyre...

Organet e rendit duhet ta kenë të qartë se gazetarët të cilët raportojnë nga protestat nuk janë armiq të tyre por në detyrë profesionale dhe duhet mbrojtur nëse sulmohen nga pjesëmarrësit në protesta. Kështu deklaroi kreu i ShGM-së, Naser Selmani, gjatë punëtorisë kushtuar përmirësimit të sigurisë së gazetarëve, organizuar nga ShGM dhe MPB, me mbështetje të OSBE-së.
“Jemi të një mendimi me partnerët tanë se dhuna ndaj punonjësve të medias është një praktikë e papranueshme për një vend demokratik. Si një element i rëndësishëm në funksionimin e proceseve demokratike, ata kanë të drejtë të punojnë në një mjedis pa kërcënime dhe presione. Misioni i tyre për të informuar qytetarët dhe për të kërkuar llogari nga secila qeveri nuk do të përmbushet nëse ata punojnë në kushte frike dhe pasigurie”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, mbetet në qëndrimin për zero tolerancë ndaj dhunës së gazetarëve. Sipas tij, nga 1 qershori 2017 janë regjistruar 12 raste për rrezikim të sigurisë së gazetarëve dhe të gjitha janë mbyllur.
“Për fat të keq, në vitet e fundit kemi dëshmuar sulme të shumta dhe presione ndaj gazetarëve. Nuk ka justifikim për sulme të tilla. Qëndrimi i qeverisë është i qartë dhe e përsërisim atë në mënyrë të përsëritur: zero tolerancë për çdo përpjekje për të rrezikuar lirinë e fjalës dhe shprehjes! Çdo sulm ndaj gazetarëve ashpër do të gjykohet dhe do të sanksionohet!”,- deklaroi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
Shefi i misionit ë OSBE-së, Xhef Goldstajn, tha se dialog i hapur midis gazetarëve dhe policisë është i mundshëm dhe i dobishëm në favor të qytetarëve. Ai sqaroi se dhuna përmban shumë aspekte.
“Nuk flasim vetëm për dhunën fizike dhe verbale, ajo mund të jetë edhe paraburgim i paligjshëm, shkatërrim i pronës, sulm arbitrar në redaksi apo shtëpitë e gazetarëve, gjuhë e urrejtjes, sulm në rrjetet sociale dhe kërcënim për sulme seksuale ndaj gazetarëve femra”,- u shpreh ambasadori i OSBE-së, Xhef Goldshtajn.
Punëtoritë janë pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar bashkëpunimin midis gazetarëve dhe policisë, që kanë për qëllim përfaqësuesit e policisë të njoftohen me rëndësinë e rolit të gazetarëve, në informimin e qytetarëve rreth ngjarjeve me rrezik të lartë.
NAIM RAMADANI
