Aleanca për Shqiptarët: SPB - Tetovë diskriminon shqiptarët në përfaqësim
Aleanca për Shqiptarët, Dega Tetovë, denoncoi sot atë që e cilësoi diskriminimin që u bëhet shqiptarëve...

Aleanca për Shqiptarët, Dega Tetovë, denoncoi sot atë që e cilësoi diskriminimin që u bëhet shqiptarëve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tetovë.
Nga Aleanca thonë se në një vendbanim siç është Tetova dhe rrethina e saj më një shumicë absolute shqiptar, kuadrot maqedonas të sektorit të brendshëm janë të përfaqësuar pothuajse trefish më shumë se kuadrot shqiptarë. Maqedonasit mbajnë pozitat udhëheqëse, ndërsa shumica te shqiptarët arrihet vetëm përmes të punësuarve në administratë, për pasaporta, letërnjoftim, leje për vozitje etj, akuzojnë nga partia e Selës.
“Përqindja e vendeve udhëheqëse në Tetovë, në aspekt proporcional me numrin e banorëve shqiptarë 85% dhe 15% maqedonas dhe të tjerë, numri i policëve në kuadër të SPB - Tetovë është 30% shqiptarë dhe 70% maqedonas. Policët rrugorë, shumica janë maqedonas. Komandanti i njësitit të veçantë të policisë (njësia e tretë speciale PEP) maqedonas pa zëvendës shqiptarë me 90% përbërje maqedone. Dhe për të qenë më tragjike, edhe kryeshefi i sektorit të sigurimit shtetërorë (UBK) për rajonin perëndimorë, gjithashtu maqedonas nga fshati Bërvenicë. Ftojmë publikisht të përgjigjet dhe të mbajë përgjegjësi zëvendësministri i punëve të brendshme së bashku me subjektin e tij politik, për diskriminimin politik që u bëhen kuadrove shqiptarë vetëm për përkatësinë e tyre etnike, edhe pse jetojmë në një rajon me shumicë absolute shqiptare!”,- tha Aleanca për Shqiptarët.
