Botë

Rrëshen, shembet hyrja e tunelit të HEC-it, 3 të vdekur

31.07.2014 17:20

Vdesin 2 shqiptarë dhe një shtetas turk, gjatë punës për ndërtimin e një hidrocentrali në Mirditë. Ngjarja tragjike ndodhi në orën 21.00 të ditës së djeshme...

Vdesin 2 shqiptarë dhe një shtetas turk, gjatë punës për ndërtimin e një hidrocentrali në Mirditë. Ngjarja tragjike ndodhi në orën 21.00 të ditës së djeshme, teksa po realizohej shpërthimi me dinamit I një pjese të tunelit, si pasojë e të cilit një masiv dheu i ka zënë poshte.
 
Viktimat janë Pjetër Doda 37 vjec, Ndue Legisi 50 vjec si dhe një shtetas turk i quajtur Hasan. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ka reaguar  një punonjës i kësaj firme. Ai tregon kushtet shumë të vështirë në të cilat punohet me tre turne, ndërsa deklaron se firma turke Efatoglu, nuk përmbush detyrimet e saj ndaj punonjësve.
 
“Ngjarja ka ndodhur pasi kam dorëzuar turnin në orën 7, kanë ardhur shokët e mi për të bërë plasjen, kanë hyrë brenda për këtë, por një sasi dheu nga mali është shkëputur. Si rregull ne e kemi t’i bëjmë me harqe, por kjo firmë, të cilës nuk dua t’i përmend emrin se është një firmë banale, nuk bëri punën që duhej të bënte. Faji është i gjithi i inxhinjerit dhe atij përfaqësuesit të firmës”, shprehet një nga punonjësit  
 
Pavarsisht ngjarjes së rëndë ende nuk ka asnjë persona të ndaluar, teksa pritet të vijnë eksperët nga Tirana për të zbardhur shkaqet e tragjedisë.
 
Firma turke që po ndërton këtë hidrocentral në Mirditë ka nisur punën prej dy vitësh, për ndërtimin e një tuneli 2 km i gjatë që do të shërbejë për furnizimin me ujë të këtij HEC-i.
 
Në kantier janë të punësuar rreth 3 mijë punëtorë të cilët janë shtetas Shqiptarë dhe turq, ndërsa ata shpesh herë kanë dalë në protesta për kushtet e vështira të punes të cilët rrezikojnë jetën e tyre.
 
LULJETA NDOKA