Maqedoni

Zaev: Marrëveshja për emrin, e mundur që sot; Ivanov: Emri nuk zgjidhet përmes telefonave

12.06.2018 16:18

Kryeministri, Zoran Zaev, shpreson që marrëveshja për emrin do të arrihet që sot....

Kryeministri, Zoran Zaev, shpreson që marrëveshja për emrin do të arrihet që sot, për faktin se pret vetëm edhe një bisedë thelbësore me homologun e tij grek, Cipras.
 
“Sot kemi një bisedë thelbësore, për mua shumë e rëndësishme, shpresoj se do t’i përmbyllim të gjitha aspektet që t’i plotësojmë pritshmëritë e të dyja palëve. E di se dy kryeministrat, dy ministrat, dy qeveritë, një numër i madh i qytetarëve nga të dyja palët janë të interesuar për zgjidhje përfundimtare të këtij problemi disa dekadash. Dhashtë Zoti, nëse sot ndodh marrëveshja, ne menjëherë atë do ta publikojmë me të gjitha detajet dhe nëse ka marrëveshje do të duhej të përpilojmë agjendë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
I pyetur se cili do të jetë emri i ri i shtetit, Zaev nuk dha përgjigje konkrete, por përmendi propozimet për të cilat po diskutohet si “Maqedonia e Veriut”, “e Epërme”, “e Re”, apo “e Vardarit”. 
 
Paraprakisht, nga kabineti i presidentit kanë njoftuar se presidenti Ivanov thekson pandarë nevojën e konsensusit të gjerë për çështjen e emrit. 
 
“Presidenti Ivanov edhe njëherë thekson se nevojitet konsensus i gjerë nacional për gjetjen e zgjidhjes, e cila nuk do të cenojë dinjitetin e popullit maqedonas dhe qytetarëve. Presidenti Ivanov vlerëson se është joserioze dhe e papërgjegjshme që çështja e emrit, e cila ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe kërkesat e imponuara teknike, të zgjidhen nëpërmjet telefonit dhe nëpërmjet marrëveshjeve personale të kryeministrave të të dy vendeve”,- thuhet në reagimin e kabinetit të Ivanovit. 
 
Duke komentuar këtë qëndrim të presidentit, Zaev tha se krerët e shtetit janë për t’iu ndihmuar qytetarëve e jo për t’iu shkaktuar probleme, ndërsa qytetarët janë ata që do të vendosin në referendum, tha kryeministri.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU