Maqedoni
Rasti “Monstra”, dëshmitarët: polici na largoi, më pas dëgjuam të shtëna
12.06.2018 17:22
Rigjykimi për rastin “Monstra” ka vazhduar me dëgjimin e tre dëshmitarëve, peshkatarë të cilët ditën kur ka ndodhur vrasja më 12 prill të vitit 2012 kanë qenë për peshkim tek Liqeni i Smillkovës....

Ndonëse secili veçmas sqaroi situatën dhe vijueshmërinë e ndodhive që kanë mundur t’i vërejnë atë ditë, në disa raste ata ishin kontradiktorë mes veti, por edhe me deklaratat që i kanë dhënë në gjykimin paraprak dhe atë para gjykatësit hetues.
Të tre dëshmitarët, Ahmed Bekir, Nesim Kemal dhe Bajram Memed, ishin të sigurtë në pjesën kur thonë se pak para se të lëshojnë Liqenin e Smillkovcës, në kohën kur veç më është errësuar, ata kanë vërejtur një veturë në rrugë dhe më pas një person të armatosur me pushkë automatike dhe me uniformë, i cili në gjuhën maqedonase ka urdhëruar që të largohen dhe kthehen prapa, në të kundërtën do t’i vrasë.
Sipas dëshmitarëve, Nesim Kemal dhe Bajram Memed, personi i armatosur që ka urdhëruar të kthehen prapa është deklaruar se është pjesëtar i policisë. Me një distancë dhe kohëzgjatje të vogël, pas urdhrit për t’u larguar nga personi që është deklaruar si pjesëtarë i policisë, dëshmitarët kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Në kohën kur dëshmitarët kanë vendosur të tentojnë të largohen nga Liqeni i Smillkovës, përafërsisht dy orë pas krismave, kanë vërejtur 4 trupa të pajetë në rrugë që nuk kanë treguar shenja jete dhe nga frika menjëherë e kanë lëshuar vendin e ngjarjes.
Për shkak të disa përgjigjeve të dëshmitarëve, që sipas prokurorëve dhe trupit gjykues janë kontradiktore, në momentin kur prokurorja speciale, Fatime Fetai, filloi të marrë në pyetje dëshmitarin e parë, Ahmed Beqir, të njëjtit iu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe u alivanos, pas çka u ndërpre gjykimi dhe njëkohësisht marrja në pyetje e të njëjtit.
Gjykimi për rastin “Monstra” do të vazhdojë me dëshmitë e radhës.
FLORIJE BELULI KAMBERI
