Maqedoni

Mançevski: VMRO-DPMNE po e bllokon Ligjin për mediat

12.06.2018 17:38

Opozita me amendamentet e shumta dhe të pakuptimta po e bllokon sjelljen e Ligjit....

Opozita me amendamentet e shumta dhe të pakuptimta po e bllokon sjelljen e Ligjit për shërbimet mediatike audio dhe audio vizuele, akuzoi ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
 
Ai i apeloi Komisionit kuvendor për transport, lidhje dhe ekologji, me të cilin udhëheq VMRO-DPMNE, të punojë çdo ditë dhe pa pushim, deri sa të mbarojë debati mbi amendamentet për propozim ligjin për shërbimet mediatike audio dhe audio vizuele. VMRO duhet të lërë anash lojërat e ngushta partiake dhe ta vendosë interesin e qytetarëve në vend të parë, tha Mançevski. 
 
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së janë kundër debatit publik, gjegjësisht prezantimit publik të kandidatëve për anëtarë në Këshillin Programor të RTM-së dhe të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele. Ata bëjnë gjithçka vetëm t’i vazhdohet mandati udhëheqësisë së tanishme në RTM dhe AShMAA, prej të cilëve shumica janë anëtarë partiakë dhe funksionarë të tanishëm dhe të mëparshëm të VMRO-DPMNE-së”,- deklaroi ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
 
Ai tha se për katër muaj janë mbajtur vetëm gjashtë seanca të Komisionit, në të cilat kanë kaluar vetëm shtatë amendamente, ndërsa mbeten edhe 67. Me këtë dinamikë ligji do të miratohet pas 2 vite e gjysmë, tha Mançevski. Ai potencoi se shqetësuese është edhe përmbajtja e atyre amendamenteve. 
 
“Në ndryshimet, propozohet që programi i detyrueshëm i RTM-së nga produksioni shtëpiak, të ulet nga 50% sa është tani, në 40%, kurse në amendamentet e VMRO-DPMNE-së kërkohet edhe të ulet përqindja edhe të rritet. Kërkohet të jetë nga 30 deri në 70%, në shtatë amendamente të ndryshme”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
 
Nuk do të lejojmë asnjëherë më që Maqedonia të jetë e vlerësuar si shtet jo i lirë, ku mediat punojnë nën presion, kërcënime dhe frikë, tha Mançevski. Trupat rregullatorë dhe posaçërisht Radiodifuzioni nacional dhe mediat, duhet t’i lihen punëtorëve mediatikë dhe njëherë e përgjithmonë politika duhet t’i heq duart nga mediat, tha Manceski. 
 
ERSAN PAJAZITI