Maqedoni
Gjykimi për sulmin ndaj Ziadin Selës, 4 vjet e dy muaj burg për dhunuesit e Selës
13.06.2018 14:28
Gjykata Penale ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me një vit e dy muaj burg Ceo Georgievskit dhe tre vit burg Stojan Pavllevskin...

Gjykata Penale ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me një vit e dy muaj burg Ceo Georgievskit dhe tre vit burg Stojan Pavllevskin, të akuzuar në rastin për sulmin ndaj deputetit, Ziadin Sela.
Në seancën paraprake dy të akuzuarit pranuan fajin pasi prokurori publik, Darko Jakimovski, për këta dy të akuzuar rikualifikoi lëndën penale nga tentim për vrasje në vepër penale “dhunë”.
Gjatë elaborimit të aktvendimit gjykatësja, Sllavica Andreevska, theksoi që është e pakontestueshme prezenca e këtyre dy të akuzuarve në ngjarjet e Kuvendit dhe në pres qendrën e saj më 27 prill të vitit të kaluar ku janë sulmuar një grup i deputetëve.
Dallimin e dënimit mes dy të akuzuarve, gjykatësja arsyetoi me atë se Georgievski ka qenë personi i parë që ka thyer kordonin dhe ka hyrë në press qendrën e Kuvendit ka hedhur gjësende të forta, është drejtuar drejt deputetëve dhe me këtë është bërë pjesë e ndodhive, edhe pse jo konkretisht të sulmit ndaj Ziadin Selës.
Me këtë veprim të akuzuarit kanë rrezikuar jetën dhe sigurinë e deputetëve, por dhe personave të tjerë që kanë qenë në Kuvend. Ajo tha se me asgjë nuk mund të arsyetohet dhuna në Kuvend andaj rrezikimi i jetës dhe sigurisë nuk guxon të kalojë pa u dënuar.
“Nëse dikush e merr të drejtën që kështu të hyje dhe të sillet në Shtëpinë Ligjvënëse, çka ndodhë atëherë me objektet tjera, me shtëpitë e qytetarëve”,- tha gjykatësja Andreevska.
I akuzuari, Stojan Pavllevski, deklaroi se ka pritur vendim më të ulët, pasi që, siç tha ai, ka shpëtuar jetën e deputetit, Ziadin Sela, dhe paralajmëroi ankesë, ndërkaq i akuzuari, Ceo Georgievski, nuk deshi të komentojë vendimin.
“Është i lartë, prisja dënim diçka më të ulët. Të shpëtosh jetë njeriu dhe të të dënojnë, nuk kam koment. Dihet se jetën e kujt e shpëtova, të Ziadin Selës”,- tha i akuzuari, Stojan Pavllevski.
Të akuzuarve si pjesë e dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar deri më tani në paraburgim.
Me këtë, Georgievskit i mbetet vetëm edhe 1 muaj burg, ndërkaq Pavllevskit i mbetën përafërsisht edhe 2 vjet e katër muaj burg.
Për këtë vepër penale Kodi Penal parasheh dënim me burg prej 6 muaj deri më 5 vjet.
FLORIJE BELULI KAMBERI
