Maqedoni

Marrëveshja Shkup - Athinë, Ruzhin: Marrëveshje epokale, që hap perspektiva

13.06.2018 16:27

Marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës cilësohet si arritje epokale nga ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, profesori Nano Ruzhin....

Sipas tij, data e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, që pritet të ndodh pas pak ditësh, do të shënojë fillimin e një historie të re për vendin, pasi nga ajo ditë hapet perspektiva euroatlantike e Maqedonisë, e frenuar për një çerekshekull.
 
“Maqedonia, përfundimisht hapëron drejt familjes euroatlantike. Pasi marrëveshja parasheh tejkalimin e pengesave nga Samiti i Bukureshtit, i vitit 2008. Hapen perspektivat për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, tejkalohet një pengesë e cila kishte dimension destabilizues dhe krijohet hapësirë për marrëveshje strategjike me fqinjin tonë jugor”,- deklaroi profesori universitar, Nano Ruzhin.
 
Kundërshtimi i presidentit dhe VMRO-DPMNRE-së është anakronik, thotë Ruzhin. Sipas tij, Ivanov dhe Mickovski nuk e kanë kuptuar porosinë e faktorit ndërkombëtar dhe frymën e re. Me qasjen mohuese ndaj marrëveshjes, ata deklarohen kundër NATO-s dhe BE-së, thekson ai.  
 
“VMRO-DPMNE, pas gjithë asaj problematike me procese gjyqësore dhe korrupsion, së bashku me presidentin, hedh poshtë rrugën euroatlantike në emër të disa interpretimeve metafizike dhe hipotetike se dikush qenka tradhtar e kështu me radhë. Thjesht, këta njerëz nuk e kuptuan frymën e kësaj kohe, prandaj nuk mund të shoh perspektivë politike për ta”,- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.
 
Qasja e këtillë e presidentit dhe VMRO-DPMNE-së nuk mund të pengojë këto procese, vlerëson Ruzhin. Sipas tij, faktori ndërkombëtar, ashtu siç mbështeste Rugovën në Kosovë dhe Xhinxhiqin në Serbi, ka zgjedh të mbështesë Zaevin për të bërë kthesën e madhe në Maqedoni. Për këtë arsye ish ambasadori në NATO vlerëson se procesi është i pakthyeshëm dhe se Maqedonia së shpejti do të marrë ftesën për anëtarësim në Aleancë dhe datën për fillimin e negociatave me BE-në.
     
SHPËTIM NUREDINI