Maqedoni
Ligji për marrëdhënie pune, përplasje mes pushtetit dhe opozitës
13.06.2018 16:53
Propozim ndryshimi i Ligjit për marrëdhënie pune ka ngjallur debatin midis pushtetit dhe opozitës...

VMRO-DPMNE akuzoi për intervenim kozmetik në tekstin e ligjit, duke vënë theksin në shkurtimin e kohëzgjatjes së shpalljes së konkursit. Shumica këmbëngul se ligji mbron të drejtat e punëtorëve.
“Me këtë propozim ligj nuk do të mbrohen të drejtat e punëtorëve, por sërish do të ketë hapësirë për manipulim. Në nenin 3, ku e ndryshoni nenin 23, paragrafi 1, fjala 5 ndërrohet me fjalën 3, përkatësisht po e zvogëloni kohëzgjatjen e konkursit. Me këtë që ju propozoni që një konkurs të zgjasë minimum 3 ditë, është një mënyrë për t’i rehatuar aktivistët tuaj”,- deklaroi Sllagjana Mitovska nga VMRO-DPMNE.
“Me nenin 1, pamundësojmë diskriminimin e të punësuarve në afat të caktuar dhe pacaktuar kohor; Me nenin 4 parashikojmë përmbajtje të detyruar të kontratës, e cila më herët ishte një normë administrative, tani kthehet në normë imperative; Me nenin 5 e zvogëlojmë afatin kohor të punës provë nga 6 në 4 muaj. Sa i përket nenit 3, ku zvogëlohet afati për paraqitje në konkurs nga 5 në 3 ditë, bëhet fjalë për afat minimal ligjor që duhet të merret parasysh konform Ligjit për shoqëri tregtare dhe sipas rejtingut të kritereve për punësim që jemi 14 më poshtë sipas ‘Duing Bisnis’”,- theksoi Katerina Kuzmanovska nga LSDM.
“Me këtë propozim ndryshim të Ligjit për marrëdhënie pune do të forcohen instrumentet mbrojtëse të punëtorëve, sidomos sa u përket rasteve të pushimit nga puna për shkaqe afariste dhe këtu sigurisht do të krijohen masa shtesë për të mbrojtur personat invalidorë, pastaj prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta”,- theksoi Rexhep Memedi nga Lëvizja Besa.
NAIM RAMADANI
