Maqedoni

Marrëveshja për emrin, Ilir Kulla për TVM2: Zgjidhje optimale, shqiptarët duhet të jenë të kënaqur

13.06.2018 17:07

Emri “Republika e Maqedonisë së Veriut”, në këndvështrimin e ekspertit për çështjet e rajonit, Ilir Kulla, është zgjidhja më optimale e mundshme për Maqedoninë....

Në një intervistë për TVM2, ai shprehet se megjithatë pritet për t’u parë ditën e shtunë nëse kjo marrëveshje ratifikohet, pasi edhe deri më tani është folur se ka marrëveshje, por që më pas janë anuluar.
 
Sa i përket kundërshtive nga ana e presidentit Ivanov, duket se Kulla i justifikon në njëfarë mënyre, duke u shprehur se në grupin negociator duhet të kishte pasur edhe një përfaqësues nga presidenca ose opozita.
 
Pas arritjes së marrëveshjes për emrin, sipas Kullës, Maqedonia është më pranë se kurrë integrimit euroatlantik, ndërsa thotë se edhe shqiptarët duhet të jenë të kënaqur me këtë emër, pasi në fund të fundit, synimi i Maqedonisë është qasja në NATO. Pavarësisht pengesave që parashikon zoti Ilir Kulla, përfundimi është pozitiv.
 
Edhe përfaqësues të politikës shqiptare, si presidenti, Ilir Meta, dhe kryeministri, Edi Rama, e kanë përshëndetur marrëveshjen Maqedoni-Greqi, duke e cilësuar historike.
 
LULJETA NDOKA