Maqedoni

Dimitrov: Kemi shansin historik të zgjidhim kontestin

14.06.2018 14:08

Nga Gjermania, ku po qëndron në një vizitë zyrtare, ministri i jashtëm Dimitrov thotë se është shumë e rëndësishme...

Nga Gjermania, ku po qëndron në një vizitë zyrtare, ministri i jashtëm Dimitrov thotë se është shumë e rëndësishme që Maqedonia të marrë vendim politik nga Këshilli Evropian për fillim të negociatave dhe për anëtarësim në NATO, deri në fund të qershorit, sepse vetëm ashtu  kompromisi që u arrit do të ishte një fitore për të dyja palët.
 
Dimitrov përkujtoi se Maqedonia pret që në 2005 në dyert e Unionit dhe këtë vit ka marrë rekomandimin e 9 nga Komisioni Evropian. Kjo, tha Dimitrov, krijoi mjaft kriza, por tani, sipas tij, është koha që krizave t’u jepet fund.
 
“Mendoj se për të gjithë do të jetë mirë kjo çështje të mbyllet, për Ballkanin, për Evropën dhe për Botën. Maqedonia sot lufton për Evropën e njëjtë në të cilën  jetoni ju. Duam të mos kemi konteste me fqinjët, të kemi politikanë përgjegjës, mediume të lira… Ne jemi gjeneratë që duhet ta përfundojë punën, jo forca tjera, ta mbyllë çështjen e Maqedonisë, të mos ketë më pyetësorë se kush jemi, të mos ketë pyetësorë pse flasim në gjuhën maqedonase dhe ta hapim perspektivën për gjeneratat e ardhshme”,- tha ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov. 
 
Shefi i diplomacisë gjermane, duke konfirmuar mbështetjen gjermane, përkujtoi gjithsesi përqendrimin në reforma. 
 
“Ju përkrahim të tregoni vendosshmëri edhe më tutje në reformat e nevojshme. Ne besojmë në perspektivën evropiane që është në favor të të gjithë rajonit”,- theksoi ministri i jashtëm i Gjermanisë, Hajko Mas.
 
Shefi i Diplomacisë së Maqedonisë potencon se pas mbylljes së kësaj çështje, Maqedonia  nuk do të ketë çështje të hapura me asnjë fqinj. Dimitrov ka potencuar se përgjegjësia e Qeverisë është të krijojë shanse dhe t’u ofrojë qytetarëve të shprehen për marrëveshjen e referendumit në vjeshtë.
 
ADNAN HAJDARI