Maqedoni

Marrëveshja për emrin, mediat greke bëjnë publik tekstin

14.06.2018 15:12

Marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës pritet të deklasifikohet në seancën qeveritare të paralajmëruar për në orët e mbrëmjes....

Mirëpo, mediat greke veç më kanë publikuar dokumentin në gjuhën angleze. 
 
Konform Marrëveshjes së arritur mes palëve, Republika e Maqedonisë do të riemërohet në Republika e Maqedonisë së Veriut. Neni 1, paragrafi 3 i marrëveshjes thotë: “Emri zyrtar i palës së dytë do të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut””, i cili do të jetë emri kushtetues i palës së dytë dhe do të përdoret “erga omnes”, siç kërkon kjo marrëveshje. Emri i shkurtë i palës së dytë do të jetë “Maqedonia e Veriut”. 
 
Shtetësia e palës së dytë do të jetë maqedonas/qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, siç do të shkruhet edhe në dokumentet e udhëtimit.
 
“Gjuhë zyrtare e palës së dytë do të jetë “gjuha maqedonase”, siç është pranuar në Konferencën e tretë të OKB-së për standardizimin e emrave gjeografikë, të mbajtur në Athinë në vitin 1977” – shkruhet në Marrëveshje. Ndërkaq, termet: Maqedonia, Republika e Maqedonisë, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe akronimi FYROM për emërtimin e palës së dytë do të dalin nga përdorimi në çdo kontekst zyrtar pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje.
 
Targat e automjeteve do të jenë NM ose NMK. Për të gjitha qëllimet e tjera mbeten kodet MK dhe MKD, siç është shënuar zyrtarisht në Organizatat Ndërkombëtare për Standardizim “ISO”. 
 
Pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, Maqedonia në harmoni me praktikën e shëndoshë administrative do të ndërmarrë të gjitha masat që pushtetet kompetente të fillojnë të përdorin emrin e ri në të gjithë dokumentacionin e ri zyrtar, në korrespodencë dhe në materialet me relevancë. 
 
Sa i përket vlefshmërisë së dokumenteve ekzistuese të lëshuara nga organet e Maqedonisë, do të ketë dy periudha tranzicioni, një teknik dhe një politik. Periudha e tranzicionit teknik ka të bëjë me të gjitha materialet dhe dokumentet zyrtare të administratës publike për përdorim të brendshëm dhe ndërkombëtar.  Vlefshmëria e dokumenteve do të rinovohet, më së voni, në afat prej pesë vitesh. 
 
Ndërsa periudha e tranzicionit politik ka të bëjë me materiale dhe dokumente, ekskluzivisht, për përdorim të brendshëm. Lëshimi i dokumenteve të këtilla do të fillojë gjatë hapjes së çdo kapitulli në fushën përkatëse në bisedimet me BE-në dhe do të mbarojë në periudhë pesëvjeçare.  
       
Pas nënshkrimit, Marrëveshja duhet të ratifikohet në Parlament dhe mund të vihet në referendum, ndërkaq për zbatimin e plotë të saj, Maqedonia duhet të ndryshojë kushtetutën në harmoni me këtë marrëveshje.   
 
Greqia pajtohet që të mos pengojë pranimin e Maqedonisë me emrin e ri në organizatat ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale dhe në organizata dhe institucione ku ajo është anëtare. 
 
“Pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, në harmoni me nenin e parë, Greqia do të ratifikojë çdo marrëveshje për qasjen e Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare ku është anëtare Greqia”, – thuhet në Marrëveshje.     
    
SHPËTIM NUREDINI