Maqedoni

Borisov anulon takimin me Ivanovin, Ivanov: Kryesuesi i BE-së, nuk duhet të mbajë anë

14.06.2018 16:06

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, dhe ministrja e punëve të jashtme, Eketarina Zaharieva...

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, dhe ministrja e punëve të jashtme, Eketarina Zaharieva, e anuluan takimin me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, takim që ishte paraparë të realizohet gjatë ditës së nesërme.
 
Mediat bullgare, si arsye për anulimin e këtij takimi thonë se është sjellja arrogante e Ivanovit pas shpalljes së zgjidhjes së problemit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Por zyrtarisht, MPJ bullgare nuk ka dashur të komentojë me arsyetimin se nuk duan të përzihen në punët e brendshme të shtetit fqinj.  
 
“Pozita jonë është e qartë, ashtu si në tërë opinionin ndërkombëtar. E qartë është edhe pozita e kryetarit të Republikës së Maqedonisë. Qeveria e Bullgarisë nuk sheh arsye që të shfrytëzohet për debate politike të brendshme në Shkup. Për zhvillimin e ardhshëm të shtetit fqinj, e rëndësishme është integrimi në NATO dhe BE, dhe kjo të mos vihet në dyshim”, thuhet në kumtesë.
 
Ivanov, ndërkohë, u prit nga homologu i tij bullgar, Rumen Radev. Duke komentuar refuzimin e Borisovit për ta takuar, presidenti i Maqedonisë tha se nuk e kupton veprimin e tillë të kryeministrit të një vendi që kryeson me BE-në.
 
“Ky është vendimi i tij dhe përgjegjësia është e tij. Borisov nuk është vetëm kryeministër i Bullgarisë, por edhe i një vendi që kryeson me BE-në. BE gjithkund promovon dialog, konstruktivitet, bashkëpunim, kështu që përmes këtij gjesti Borisov jo vetëm që anon, por edhe nuk e realizon qëllimin për anëtarësim me BE-në”,- theksoi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
 
Homologu i tij, Rumen Radev, ngushëlloi Ivanovin, duke përkujtuar kryeministrin e vendit të tij se nuk është mirë t’i ikë përgjegjësisë, por njëkohësisht edhe Ivanovin që të mos jetë vetëm pjesëmarrës, por edhe udhëheqës i dialogut mes institucioneve në Maqedoni, sepse kjo është kusht i rëndësishëm për anëtarësimin në BE dhe në NATO.
 
“Mendoj se kur ftojmë të tjerët të udhëheqin dialogun, nuk duhet që vetë të ikim nga i njëjti. Shpresoj se prioritetet tona për Ballkanin perëndimor nuk do të mbeten vetëm me përqafime. Duhet të dëshmojmë lidership dhe përgjegjësi në momente të vështira”,- u shpreh kryetari i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Përkrahja e Bullgarisë për marrëveshjen me emrin është e lidhur strikt me respektimin e marrëveshjeve që Shkupi dhe Athina i kanë arritur në Sofje.
 
FLUTURA LATIFI