Maqedoni
Ndryshimi i emrit, Ahmeti: Fitojmë të gjithë, nis ardhmëria
14.06.2018 16:39
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, e vlerëson si arritje të madhe për të gjithë arritjen e marrëveshjes rreth emrit...

Në një intervistë për televizionin e Kosovës T7, Ahmeti tha se zgjidhja e këtij problemi nuk është në humbje të askujt, por është në dobi të shtetit dhe të bashkëqytetarëve maqedonas.
“Me zgjidhjen e çështjes së emrit, nuk humbin asgjë bashkëqytetarët e mi maqedonas, përkundrazi fitorja e madhe do të jetë për këta sepse u njihet shteti, u njihet identiteti, nacionaliteti, fiton komuniteti shqiptar, fiton paqe, stabiliteti siguria, bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane, pjesë e familjes së NATO-s”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Republika e Maqedonisë së Veriut është emër i pranueshëm për të gjithë, thotë Ahmeti, edhe për faktorin shqiptar që ka qenë pjesë e rëndësishme e negociatave.
“Ne nuk jemi treguar indiferent, sepse lihej një përshtypje e tillë se shqiptarëve nuk ju intereson. Jo, jo neve na intereson sepse ai është shteti jonë dhe se ne nuk do të rrimë indiferentë në qoftë se dikush pretendon të na quaj Republika Sllavo-Maqedonase, e cila është e papranueshme për shqiptarët, apo Republika Kombëtare Maqedonase dhe ky epilog, kjo zgjidhje që është ofruar, është një kompromis mes palëve që tërësisht jemi dakorduar dhe ne tërësisht kemi qenë pjesë e procesit të zgjidhjes së problemit”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti njoftoi se marrëveshjen do ta nënshkruajnë kryeministri i Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, në prani të përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian.
ADNAN HANDARI
